Çfarë mund të "falë" Berisha? Logjikisht asgjë. Por kur mendojmë se negociata të tilla me lëshime të kësaj natyre i japin mundësinë të kalcifikohet në karrigen e Kryeministrit edhe për më shumë sesa tre vjet, nuk është çudi që të lëshojë terren e influencë
Nga Mustafa NanoNë kushtet kur opozita duket e vendosur në linjën e vet të bojkotit, kanë zënë të dalin zëra që kërkojnë një zgjidhje të krizës nëpërmjet negociatash, të cilat do të duhet të pjellin ca lëshime të rëndësishme në favor të PS'së. Këto lëshime kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës së Partisë Socialiste për të vënë vulën/veton në emërimin e do krerëve të institucioneve të shtetit. Sikur kjo të jetë një ide e gatuar në kuzhinën e PD'së, e sikur PS'së t'i prishet mendja nga oferta e dhënë në momentin e caktuar, rezultati do të ishte i qartë: së pari, PS'ja do të futej në parlament, jeta parlamentare do të normalizohej, e kriza politike do të merrte zgjidhje; së dyti, bota institucionale do të balancohej dhe së treti, kjo është ajo që i bën këto negociata të menduara apo të nxitura si të dëmshme, e në këtë kuptim kjo është kostoja që duhet paguar - për zgjedhjet e shkuara nuk do të flitej më. Me fjalë të tjera, nuk do të kërkohej hapja e kutive e rinumërimi i votave, gjë që (ish shpallur nga socialistët e ish besuar nga të tjerët) do të sillte identifikimin e manipulimeve, gjetjen e fajtorëve, ndëshkimin e këtyre të fundit dhe krijimin e një klime absolutisht më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Për zgjedhjet e radhës në këto rrethana nuk do të kishte asnjë prej atyre leksioneve e garancive, që do të dilnin prej një shqyrtimi të imët të problemeve të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009. Ngado që t'i vish rrotull këtij skenari që po pëshpëritet me këmbëngulje nga lojtarë të brendshëm e të jashtëm, nuk duket që qari të jetë më i madh se sa qederi. Është e sigurt që Edi Rama ka kërkuar hapjen e kutive për hesape të veta, e jo se i digjet barku për zgjedhjet e ardhshme. Por, ai ka lozur me kartën e merakut për zgjedhjet, e cila ka qenë një kartë parimore që ndillte e legjitimonte mbështetje në favor të bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës. Rama pra, nuk e ka për gjë që të heqë dorë nga kjo kartë në këmbim të atyre lëshimeve për të cilat po flasin me zë e nën zë njerëz të ndryshëm djathtas e majtas (PS'së t'i "jepen" një numër institucionesh), por puna është se nuk i lipsen këto fitore. Në të vërtetë, Ramës i duhen garanci që zgjedhjet e ardhshme nuk do të preken. E garanci të tilla nuk ofrohen prej marrëveshjesh të tilla. Lëshimet në fjalë i japin thjesht një justifikim për t'u futur në Kuvend. Ca e ca janë të idesë se interesi i hëpërhëshëm i Ramës është pikërisht ky: interesi i tij është pra, që dikush t'i japë ca fitore politike me të cilat ta përligjë bojkotin e bojkotit. Të huajt po i kërkojnë vazhdimisht të futet në parlament, por edhe presionin e të vetëve lidhur me të njëjtën çështje bën vaki që e ka në rritje e sipër (sidomos nëse mazhoranca bën një ofertë që duket si fitore e qartë politike). Berisha nga ana tjetër, e di që një ofertë e tillë do ta fuste opozitën në parlament. Por, a ka arsye që e pengojnë Berishën ta bëjë këtë ofertë? Ka më shumë se një, të cilat përcaktohen nga oreksi i opozitës në negociatat e mundshme. Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për të kuptuar se opozita do të kërkojë jo pak në këmbim të heshtjes ndaj krimit elektoral. Pëllumb Xhufi hidhte idenë këto ditë se opozitës duhet t'i jepet e drejta për të zgjedhur presidentin e ardhshëm dhe një prokuror tjetër. Dikush tjetër sugjeron që opozita të ketë të drejtën të zgjedhë kryetarin e SHISH'it dhe të ketë një zë të fortë në procesin politiko-parlamentar të rifreskimit të pjesshëm të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mungojnë as zërat që bëjnë fjalë për institucione të tjera, sidozot Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Berisha mund të lëshojë pe tek-tuk, por kur të vijë puna te zëvendësimi krerëve të një numri institucionesh të rëndësishme, ai nuk ka interes t'i lërë terren opozitës. I zhytur në halle e probleme për shkak të disa aferave korruptive në të cilat janë përfshirë edhe njerëzit e vet, ai nuk mund t'ia falë prokurorinë opozitës. Do të ishte sikur t'ia fuste vetes. Edhe te Gjykata Kushtetuese si zor të lëshojë pe. Ky institucion, nëse përbëhet nga një shumicë e pakontrolluar prej tij, mund t'i bëhet pengesë herë pas here. Për një kryeministër si ky i yni, që parapëlqen të sundojë e jo të qeverisë, Gjykata Kushtetuese është një fortesë që nuk mund të lëshohet. Po kështu është dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin Berisha do donte ta kishte të tërin në dorë të vet. Nuk e ka tani për tani, por nuk do të reshtë në përpjekjet për ta pasur. E për këtë i duhet Presidenti i ardhshëm. E po çfarë mund të "falë" Berisha? Logjikisht asgjë. Por kur mendojmë se negociata të tilla me lëshime të kësaj natyre i japin mundësinë të kalcifikohet në karrigen e Kryeministrit edhe për më shumë sesa tre vjet, nuk është çudi që të lëshojë terren e influencë. Ai mund të mendojë: "E rëndësishme është që opozita të futet në parlament, për pasojë të marrë fund kjo krizë që mund të na penalizojë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme në radhë të parë për mua. Ndërsa me fuqinë e rritur të opozitës kam kohë të merrem". Në këtë kuptim, negociatat PS-PD janë të mundshme. Të dyja palët nuk flasin për këtë gjë, madje e refuzojnë me forcë idenë e një marrëveshjeje të këtyre përmasave e të këtij lloji, por janë po palët që e dinë se nuk ka mënyrë tjetër për të ikur nga ky cul-de-sac. Presioni i ndërkombëtarëve mund të jetë një factor extra në nxitjen e një dialogu, që do të prodhonte fundin e krizës. Do të ishte me vlerë dhe me interes publik një gjë e tillë? Në planin e shqetësimeve të ditës, do të ishte një ngushëllim i mirë, pasi do të normalizohej jeta politiko-parlamentare, por në planin perspektiv, kjo marrëveshje nuk do të prodhonte asgjë të mirë. Në këtë mënyrë, së pari, do të krijohej precedenti i "faljes" së institucioneve, e së dyti, zgjedhjet e radhës do të ishin si zgjedhjet e shkuara: të manipuluara e të kontestuara.