Tiranë, 27 janar, NOA - Asambleja e Jashtëzakonshme e ekipit futbollistik të Tiranës do të mblidhet sot në një takim të posaçëm, gjatë të cilit pritet të merret në shqyrtim rasti i fundit i ushtrimit të dhunës në stadiumin "Qemal Stafa" kur ky ekip ndeshej me atë të Dinamos në derbin e vlefshëm për kampionatin kombëtar të futbollit.
Asambleja, e cila bëhet me dije se zhvillohet sot në orën 18:00 në mjediset e hotel "Tirana International", pritet që të diskutojë konkretisht vendimet e Komisionit të Disiplinës të marrë dje ndaj Tiranës.
Kështu, ky institucion vendosi dje të pezullojë për një vit trajnerin e Tiranës, Alban Tafaj si dhe të pezullojë në 8 ndeshje lojtarin Devi Muka.
Ndërkohë që ndaj ekipit është vendosur një gjobë prej 300 mijë lekë dhe 4 ndeshje të luhen pa tifoz.
Për të gjitha këto masa, në Asamble pritet të merren vendime të rëndësishme.
n.e/NOA