Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 27 janar NOA - Përmbytjet në verilindje të vendit pritet të ndikojnë negativisht jo vetëm në presionin ndaj buxhetit të shtetit, duke shtruar nevojën e ndryshimit të tij, por edhe në rritjen e çmimeve që do të sjellë mungesa e produkteve ushqimore në treg.
Prodhimi bujqësorë në Shkodër përbën një pjesë të rëndësishme të tregut vendas, ndaj dëmtimi i të mbjellave pritet të shoqërohet me një ofertë të ulët.
Me këtë argument guvernatori Ardian Fullani sqaroi para mediave efektet qe do te japin përmbytjet në ekonomi. Sipas tij, banka e Shqipërisë mirëpret nismën e qeverisë për të rishikuar buxhetin e shtetit, pasi ky veprim shkon në të njëjtën linjë me udhëzimet e institucionit monetarë. Gjatë konferencës për shtyp guvernatori Fullani bëri një analizë të ekonomisë në 6 mujorin e dytë 2009. Ai bëri publikë edhe vendimin e këshillit mbikëqyrës së bankës për të mbajtur të pandryshuar norman bazë të interesit të lekut në masën 5.25%. Njëkohësisht ky institucion mbështet nismën e qeverisë për të marrë kredi në tregun ndërkombëtarë, pasi sipas tij ekonomia ka nevojë për para.
"Banka e Shqipërisë gjykon se qeveria duhet të nxitojë për të marrë këtë hua dhe për t'ia injektuar ekonomisë në kohën e duhur, mbi të gjitha kjo masë do të rregullojë bilancet"- u shpreh Fullani.
Ministria e Financave ka dalë në tregun ndërkombëtarë për të marrë 300 milion euro kredi, një masë kjo e cila do të ndikojë pozitivisht në ekonomi.
Në fjalën e tij guvernatori u ndal edhe në shqetësimin e institucionit që ai drejton, duke i bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë politikat e duhura për të reduktuar defiçitin buxhetorë, si një kusht për stabilitetin makroekonomik.
r.l/NOA