Tiranë, grabitet me armë pika e arkëtimit e KESH
Tiranë, 27 Janar NOA Update - Një filial arke ku arkëtoheshin paratë e abonentëve të KESH - OSSH, është grabitur rreth një orë e gjysmë më parë në Tiranë ku persona të paarmatosur që u shtirën se kishin pistoleta, rrëmbyen një sasi të hollash dhe u zhdukën në drejtim të paditur.
Ngjarja ndodhi disa metra pranë Komisariatit nr 1 dhe Tv Koha në rrugën "Tre Vllaznit" pranë "Brrylit" në Unazë ku OSSH kishte marrë me qera një dhomë të modifikuar si zyrë arkëtimesh.
Burime zyrtare konfirmuan për agjencinë NOA se është rrëmbyer shuma prej 300 mijë lekësh të rinj, nga dy djem në moshë të re, të pamaskuar.
Konfirmohet se autorët mbanin në duar pistoleta lodër me të cilat fillimisht frikësuan sportelistet dhe më tej, në ikje e sipër u treguan se çfarë mbanin nëpër duar dhe i flakën "armët" për t'u zhdukur në drejtim të paditur.
Disa dhjetëra forca policore gjenden ende në zonën tek Brryli ku ndodhet filiali i grabitur dhe kontrolle po bëhen në zonat përreth por ende nuk është rënë në gjurmë të autorëve.
e.r/NOA
e.r/NOA