Tiranë, 27 janar NOA/Klodiana Kotorri - Një lidhje pesë orëshe që përfundoi tragjikisht për të dy.
Burri dhe gruaja që u gjetën të vdekur mëngjesin e djeshëm në një makinë brenda në garazh te ish-uzina Dinamo në Tiranë u përcollën sot në banesën e fundit, vetëm pak orë pasi ishin parë për herë të parë.
Ndërsa policia e kryeqytetit ka dokumentuar shkaqet e vdekjes së çiftit.
Luan Veizi, 58-vjeç dhe Doriela Sinjari, 39-vjeçe janë asfiksuar nga gazrat të automjetit, pasi ata kanë qëndruar për një kohë të gjatë në një garazh të mbyllur dhe me automjetin e ndezur, ky është versioni zyrtar i policisë së Tiranës.
Luan Veizi, njihej si tregtar në zonën e ish-uzinës Dinamo ku edhe banonte ndërsa familjarët e tij kanë deklaruar në polici se ai pothuajse çdo natë kthehej i dehur në banesë, në orare të vona gjë për të cilën të gjithë ishin mësuar.
Madje kështu kanë menduar edhe për natën që tregtari kishte ndërruar jete, se ndoshta ndodhej diku duke konsumuar alkool.
Sipas itinerarit që ka ndërtuar policia, mbrëmjen e së hënës, 58-vjeçari ndodhej në gjendje të dehur dhe po lëvizte me automjetin e tij tip "Audi" kur dyshohet të jetë përballur me 39-vjeçaren Sinjari.
Ngacmimeve të tregtarit, gruaja i është përgjigjur pozitivisht duke pranuar të futet në makinën e tij.
Pas fjalëve të para standarde mes një çifti, dyshohet se 58-vjeçari i ka propozuar gruas për pak intimitet gjë e cila sërish nuk është refuzuar nga ajo.
Për policinë, çifti është takuar për herë të parë mbrëmjen e vdekjes së tyre.
Kjo pasi në telefonat e tyre nuk është diktuar asnjë shenjë e njohjes së tyre më parë, ndërsa edhe familjarët e tyre kanë mohuar të kenë pasur sado pak dyshime për një lidhje mes tyre.
Më tej tregtari ka propozuar si vend intim garazhin e tij dhe ata do të qëndronin në makinë.
Kështu burri ka parkuar automjetin në garazh dhe derën e kësaj të fundit e ka mbyllur por jo me çelës.
Ai ka lënë makinën ndezur me qëllim që të krijonte ajër të ngrohtë në makinë.
Sipas policisë e cila këqyri kufomat në automjet, ata ishin spostuar në sediljen e pasme të automjetit dhe kishin hequr disa rroba të trupit.
Dyshohet se mes tyre nuk është kryer marrëdhënie seksuale pasi ata nuk kanë mundur të jetojnë gjatë.
Gazrat që lëshonte makina ka krijuar këputje te dy personat të cilët fillimisht duket se kanë vendosur të qetësohen dhe më pas pa kuptuar kanë dhënë shpirt njëri pas tjetrit.
Në mëngjes roja i parkingut ka parë derën e garazhit të tregtarit hapur dhe makinën e ndezur.
Frika se mos përballej me ndonjë irritim të 58-vjeçarit ka detyruar rojën të lajmërojë bashkëshorten e tij që ta merrte atë.
Gruaja dhe vajza e tregtarit mbërritën menjëherë në garazh dhe hynë brenda.
Vajza i është afruar më parë automjeti dhe ka nisur të ulërasë kur ka parë të atin brenda në makinë gjysmë të zhveshur me një tjetër grua.
Ajo ka kujtuar se ai ishte i dehur dhe ka tentuar ta zgjojë duke e tundur e shkundur ndërsa i thërriste të mos sillej kështu.
E ndërsa tentonte të zgjonte të ati, vajza i lajmëronte të ëmën se ai ndodhej me një grua tjetër.
Megjithatë të gjithë u përpoqën të ndihmonin çiftin duke i çuar ata siç ishin në spital, por vetëm një vështrim i mjekëve është dashur që të kuptohej se ata kishin vdekur.
Kështu u lajmëruar dhe policia e cila bëri këqyrjen e provave.
Identifikimi i burrit ishte shumë i thjeshtë për policinë ndërsa e gruas së panjohur për familjen e tij ka qenë tepër e vështirë.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se u kontrollua telefoni i saj për të zbuluar të afërmit të saj dhe një gjë e tillë u krye vetëm disa orë pas zbulimit të ngjarjes.
Ndërkohë mësohet se 39-vjeçarja ishte punonjëse në një subjekt privat dhe jetonte vetëm në shtëpi.
Prindërit e saj jetonin në një banesë tjetër, ndërsa ajo kishte bashkëjetuar më parë me një shtetas grek.
Sipas policisë gruaja dyshohet se edhe një javë më parë kish njohur një djalë në rrugë dhe ishte ndarë prej tij vetëm pak orë më pas, e njëjta mënyrë njohjeje si me tregtarin por ndryshe nga rasti i para një jave, kësaj here gruaja nuk mundi të shkëputej e gjallë.
Të dyja viktimat pas nënshtrimit të autopsisë u tërhoqën nga familjarët e tyre.
k.k/NOA klodiana.kotorri@noa.al