English

MBUMK merr masa për kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytja, në Shkodër

Tiranë, 27 janar NOA - Fill pas uljes së nivelit të ujit në lumin Bunë dhe në zonat e përmbytura stafet teknike të MBUMK-se dhe Bordit të Kullimit Shkodër kanë inspektuar të gjithë infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja për evidentimin e dëmtimeve dhe marrjen e masave për rikthimin në gjendjen e mëparshme.

Nga inspektimi teknik, kanë rezultuar dëmtime të pjesshme në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrishte, Daragjat si dhe është dëmtuar argjinatura e Çasit me pasojë përmbytjen e hidrovorit te Çasit.

Mësohet se për kthimin në normalitet të infrastrukturës së kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja po riparohen dëmtimet në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrishte, Daragjat, etj.

Gjithashtu ka filluar riparimi i argjinaturës së Çasit në segmentin më të dëmtuar të saj në rreth 500 metër për bllokimin e shpejtë të kalimit të ujit nga këneta e Domnit në tokën bujqësore të Çasit. Kjo do të mundësojë edhe futjen në punë të hidrovorit të Çasit.

Vlera e kësaj ndërhyrjeje është rreth 20 milionë lekë.

Po punohet në hidrovorin e Çasit, për pastrimin e tij dhe sjelljen në kushte teknike të pajisjeve elektrike dhe elektropompave.

Vlera e punimeve për hidrovorin e Çasit është 3 milionë lekë.

Gjithashtu po shikohet mundësia e instalimit të disa motopompave me kapacitet të madh tek hidrovori i Çasit, për të mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave, që kanë përmbytur 1500 ha tokë bujqësore.

Po punohet për hapjen e grykës së Vilunit si dhe pastrimin e disa nyjeve kryesore të shkarkimit të ujërave në kanalin e Mertemzës me ekskavatorët e Bordit të Kullimit Shkodër, si dhe po shikohet mundesia e futjes në punë edhe të 4 ekskavatorëve të tjerë si dhe 2 dragave, në varësi me rënien e nivelit të ujit.

Në kuadrin e ndërhyrjeve me afatgjata, do të bëhen modifikime në buxhetin e vitit 2010, për të financuar disa ndërhyrje të tjera prioritare në argjinatura dhe kolektorë kullues ne zonën e nën-Shkodrës.

k.k/NOA

KOMENTE