English

Operacioni "Sporti i vjetër", kapen tre shpërndarës heroine nëpër lokale

Elbasan, 27 janar, NOA - Tre shpërndarës heroine kanë rënë në pranga gjatë një operacioni të koduar me emrin "Sporti i vjetër", organizuar nga forcat e policisë së Elbasanit.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se emrat e të ndaluarve janë Gerti Hysenbelliu, 21 vjeç; Klevis Gjini, 19 vjeç dhe Renato Bakalli, 21 vjeç; që të tre lindur e banues në qytetin e Elbasanit.

Më tej, sqarohet sesi në bazë të informacionit të marrë rreth tyre në rrugë operative, u konstatua se Gerti Hysenbelliu merrej me shpërndarje të lëndës narkotike, konkretisht në mjediset e lokalit në pronësi të një gruaje me inicialet D.R, së bashku me dy shokët e tij Klevis Gjini dhe Renato Bakalli.

Nga ana e policisë këtyre personave iu ushtrua një kontroll i imtësishëm duke iu gjetur 9 qese të vogla plasmani, brenda së cilës gjendej një mase pluhuri me ngjyrë të kuqurremtë, e ngjashme me heroinën, me peshë prej 1.6 gram.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve", e cila parashikohet nga neni 283/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE