Tiranë, 27 janar NOA - Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch ka deklaruar sot për mediat se Projekt-Rezoluta e Këshillit të Evropës, e cila nëse do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë, ku partitë mund të mblidhen së bashku.
"Jam i gëzuar me reagimet pozitive të deritanishme ndaj sugjerimit nga të dyja palët, që është gjë e mirë. Tani thjesht duhet te merren hapa të tjera nga të dyja palët.Nëse kemi dy grupe apo palë që kanë opinione të ndryshme, duhet arritur një lloj kompromisi, se nuk është një lojë futbolli që mund të ketë një fitues, madje, këtu, për hir të interesave të vendit, nuk duhet të ketë në fakt as dy fitues, por fitues duhen të jenë të gjithë 3.5 milionë njerëzit që jetojnë në këtë vend. Është në të mirë të vendit që të kërkohet një kompromis, në përputhje me sugjerimin e bërë nga Këshilli i Evropës" tha Bosch.
I pyetur se në këndvështrimin tuaj, cili është faktori politik që duhet të hedhë hapin e parë, opozita apo qeveria, kreu i OSBE-së në Shqipëri tha se hapat duhet të merren nga të gjithë njëherësh, prandaj edhe sugjerimi i Këshillit të Evropës për t'i dhënë një rol Presidentit ishte një sugjerim shumë i mirë. Kështu, të gjithë mund të ndërmarrin në të njëjtën kohë hapin e parë. Nuk ka nevojë që njëra apo tjetra palë ta ndërmarrë e para këtë hap.
"Politika është mirë të jetë e hapur për të gjithë, por ndonjëherë gjëra të caktuara është mirë të bëhen, deri në njëfarë mase, me dyer të mbyllura, për arritjen e një kompromisi" tha Bosch duke shtuar se OSBE-ja do të mbesë gjithmonë e gatshëm të ndihmojmë, nëse kërkohet, por duke pasur parasysh përparimin e madh që ka bërë vendi në rrugën e integrimit evropian, i përket politikës shqiptare.
"OSBE-ja, Këshilli i Evropës apo edhe ndërkombëtarë të tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë. Siç e patë edhe në sugjerimin e Këshillit të Evropës, dy raporterët janë gati të vijnë në Shqipëri dhe ata janë sigurisht të mirëpritur, por edhe një herë, mendoj se ju përket juve" thë më tej kreu i OSBE-së.
Pyetjes se a duhet të jetë negociator Presidenti i Republikës ai iu përgjigj: "Nëse roli i tij do të ishte pozitiv dhe ai mund të luajë rol pozitiv, do të ishte gjë e mirë. Mbi të gjitha, ai është presidenti, presidenti duhet të jetë mbi palët, kështu që ai duhet të jetë në gjendje të bëjë rolin e një mediatori më të pavarur".
k.k/NOA