English

PS, Beqja: Qeveria e Berishës po refuzon të pranojë krizën ekonomike

Tiranë, 27 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës u shpreh se qeveria e Sali Berishës po refuzon të pranojë krizën ekonomike që sipas tij ka mbërthyer vendin.

"Qeveria e Sali Berishës refuzon ta shohë krizën edhe pse i duhet të reagojë përballë vështirësive të skajshme që kjo krizë po shkakton tek qytetarët shqiptarë.

Shqetësimeve të ngritura në vazhdimësi prej Partisë Socialiste, kryeministri i votave të vjedhura u është përgjigjur duke mashtruar shqiptarët me trillime për mrekullira ekonomike, me rritje pagash e pensionesh dhe duke akuzuar opozitën se po përpiqet të mashtrojë shqiptarët në emër të luftës politike.

E vërteta vonon, por nuk harron. Tanimë edhe vetë INSTAT, kjo vegël e bindur në shërbim të Sali Berishës, po vërteton atë çka Partia Socialiste ka thënë prej kohësh.

Sepse sipas vetë INSTAT në muajin dhjetor që sapo lamë pas, çmimet e ushqimeve të shportës janë rritur më shumë në të 12 muajt e vitit 2009" tha Beqja.

Sipas deputetit socialist, shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve ndoshta nuk po i rëndon shumë familjes në pushtet dhe oborrit të saj, por po bëhet e papërballueshme jetesa për familjet e varfra, për familjet në ndihmë ekonomike, për familjet e pensionistëve, për familjet e të papunëve, pra për më shumë se gjysmën e familjeve shqiptare.

k.k/NOA

KOMENTE