Tiranë, 27 Janar NOA - Partia Socialiste vlerëson se me hedhjen poshtë të marrëveshjes për kufirin detar Shqipëër-Greqi, Gjykata Kushtetuese ka kapur mat kryeministrin.
"Sali Berisha duhet t'u kërkojë falje shqiptarëve për pozitën e vështirë ku na ka vënë të gjithëve, me një marrëveshje e cila nuk ka respektuar as kushtetutën, po as parimet e fqinjësisë së mirë", - tha pak minuta më parë, Shegush Ligori, deputete e PS.
Ajo vlerësoi se vendimi i djeshëm i kushtetueses flet për një pushtet të verbër, që për të shtatëmbëdhjetën herë kapet nga drejtësia në shkelje të Kushtetutës dhe për një kryeministër të marrë që 17 herë rresht është zënë me presh në duar kundër interesave të vendit e kundër çdo parimi demokratik.
"Shkelja e vërtetuar e kushtetutës për të shtatëmbëdhjetën herë në katër vjet tregon edhe me çfarë njerëzish është i rrethuar Sali Berisha, dallkaukë të paskrupullt që dinë të bëjnë vetëm korrupsion për interesat e familjes që qeveris Shqipërinë", - theksoi Ligori.
Kurse shtoi se "shtatëmbëdhjetë shkeljet e provuara nga gjykata nuk janë për fat të keq të gjitha shkeljet që Sali Berisha i ka bërë kushtetutës dhe sot ka një arsye më shumë për ta larguar me protesta këtë pengmarrës të Shqipërisë nga detyra që nuk e kryen dot përveçse duke shkelur interesat e vendit e të popullit të tij".
e.r/NOA