English

Sot dita botërore e Holokaustit, ceremoni për 65-vjetorin e çlirimit të Aushvicit

Uashington, 27 janar, NOA - Sot e gjithë bota përkujton Holokaustin, pasi që nga janari i vitit 2005, 27 janari është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita ndërkombëtare e përkujtimit të tij.

Ai përbënte një fushatë represive dhe shfarosëse, e cila u zbatua para dhe gjatë Luftës II Botërore nga nazistët kundër popullatës hebreje, duke shkaktuar zhdukjen e 6 milion personave të kësaj të fundit.

Në Poloni me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes Aushvic do të zhvillohet një ceremoni ku të mbijetuarit nga kampi, veteranë sovjetikë të luftës dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu janë ndër të pjesëmarrësit në ceremoni. Aushvici u çlirua nga armata sovjetike në 27 janar 1945, kamp nga i cili rreth 1.1 milion njerëz u zhdukën, 90 % nga të cilët ishin hebrej që u vranë në dhomat e gazit.

Gjatë vitit 1933, qeveria gjermane nxori 42 ligje kundër hebrenjve duke iu kufizuar atyre të drejtat qytetare, ato të punës, të arsimimit duke urdhëruar largimin nga administrata shtetërore. Një vit më pas, sërish qeveria gjermane hodhi në veprim 19 ligje të tjera kundër hebrenjve, ndërsa në vitin 1935 ato u shtuan edhe me 29 ligje të tjera, përfshirë edhe ndalimin e martesave midis hebrejve dhe jo-hebrejve si edhe zhvlerësimin e qytetarisë gjermane për hebrenjtë dhe ato me origjinë të tillë. Këto do ishin masat e para represive ndaj kësaj popullate të shpërndarë në gjithë Evropën, duke kulmuar në 10 nëntor 1938, ku në çdo qytet e fshat, sipas një plani të ndërtuar kohë më parë, trupat e sulmit dhe rinia naziste sulmuan, shkatërruan, dogjën, thyen e dhunuan çdo gjë që ishte hebraike.

Më tej, gjatë Luftës II Botërore e deri në fund të saj u aplikuan edhe dërgimet e tyre në kampe përqendrimi të cilët u kthyen në kampe shfarosje për ta.

n.e/NOA

KOMENTE