Tiranë, 27 Janar NOA Rajmonda Lajthia - Në një kohë që zyrtarët e qeverisë vijojnë të mohojnë efektet e krizës ekonomike, administrata tatimore pranon vështirësitë në mbledhjen e të ardhurave.
Plani për vitin 2009 është realizuar në masën 95.5 për qind dhe sipas Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, problem ka rezultuar me tatim-fitimin.
Në këtë zë mungojnë 390 milionë lekë, situatë kjo e krijuar nga vështirësitë që po hasin kompanitë eksportuese.
Artim Biraçi duke folur me agjencinë NOA tha sot se ka një mosrealizim në zërat e sigurimeve, tatim fitimit dhe në disa taksa nacionale.
Për sa i përket tatim-fitimit, sipas Boriçit disa kompani që kanë hasur vështirësi financiare nga kriza ekonomike janë trajtuar me shpejtësi nga administrata tatimore, duke iu rimbursuar TVSH-në, në mënyrë që ata të rikuperonin situatën e vështirë.
Një tjetër objektiv i parealizuar është ai i derdhjes së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shumën e 4 miliardë lekëve.
Ky tatim edhe pse u ul nga qeveria në mesin e vitit 2009 për punëdhënësit, sërish nuk ka dhënë efektet e pritura.
Tatimorët pohojnë se të ardhurat në raport me vitin 2008 kanë pësuar rritje me mbi 4 për qind.
Por në raport me planin mosrealizimi është i dukshëm, çka detyroi Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin për të dytën herë brenda vitit.
Gjatë seancës së të enjtes parlamenti pritet të miratojë aktin normativë, i cili në thelb konfirmon mungesën e mbledhjes së të ardhurave për vitin 2009.
Në këtë situatë ministria e financave ka korrigjuar edhe shifrën e rritjes ekonomike, duke e zbritur atë në 3.1 për qind, nga 4.8 për qind që ishte parashikuar.
r.l/e.r/NOA rajmonda.lajthia@noa.al