Tiranë, 28 janar, NOA - Partia për Drejtësi dhe Unitet, e cila përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri, ka përshëndetur me anë të një deklarate të posaçme aktin e rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë. "Partia Drejtësi dhe Unitet ishte një ndër forcat e para politike në vend që shprehu rezervat dhe shqetësimin e saj në lidhje me këtë marrëveshje dhe që deklaroi se nuk do ta votonte atë në Kuvend", citohet në deklaratën e kësaj partie.
Duke shtuar më pas, se deputetët e saj në parlament nuk kishin për ta votuar kurrë këtë marrëveshje nëse ajo nuk do të hidhej poshtë nga ana e Kushtetueses.
Sipas PDU-së, në njëfarë mënyre, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dha të drejtë anëtarësisë së saj në vendosmërinë që ajo paraqiste kundër marrëveshjes që përcakton kufij të rinj detarë me shtetin fqinj në jug të vendit.
n.e/NOA