Tiranë, 28 janar NOA - Lëvizja G99 ka gjetur një tjetër mënyrë për të mundësuar zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit.
G99 i ka kërkuar përmes një letre, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të Procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit, dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Qarkun e Beratit, dhe ZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun e Tiranës.
"E bazojmë këtë kërkesë në garancitë e ofruara përmes dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 23, pika 1 dhe 2, si dhe në dispozitat e ligjit Nr.8503, datë 30.6.1999 "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare", i cili na jep të drejtën të kemi akses në çdo "dokument zyrtar" pra në dokumente të çdo lloji të mbajtura nga autoriteti publik, në përputhje me rregullat në fuqi dhe që ka lidhje me ushtrimin e një funksioni publik. Fletët e votimit dhe materiali zgjedhor qartazi bën pjesë në këtë përkufizim ligjor të "dokumentit zyrtar" deklaroi sot kreu i G99 Erjon Veliaj.
k.k/NOA