English

Gjenden në oqean kutitë e zeza të avionit të rrëzuar etiopian

Bejrut, 28 janar, NOA - Ekipet e kërkimit besojnë se kanë zbuluar 'kutitë e zeza' nga aeroplani i Etiopisë, i cili para pak ditësh u përplas afër brigjeve të Libanit duke shkaktuar vdekjen e 90 njerëzve që kishte në bord. Lajmi është bërë me dijeni nga një oficer i armatës së Libanit, sipas të cilit regjistruesit janë gjetur në thellësi 1.300 metra, rreth 10 km larg aeroportit bregdetar të Bejrutit.

Këto kuti do të tregojnë të vërtetën e asaj që ka ndodhur gjatë këtij aksidenti ajror, në një kohë kur të gjithë ekspertët janë të mendimit se aeroplani ka rënë në Mesdhe falë motit të keq dhe stuhisë.

Aeroplani në fjalë ka qenë i tipit Boeing 737-800 i kompanisë ajrore "Ethiopian Airlines" të Etiopisë, i cili numëronte 90 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Mësohet se ai është përplasur në Detin e Mesdheut, pak kohë pasi është ngritur nga aeroporti në Bejrut.

Pjesa më e madhe e pasagjerëve në avionin, që po udhëtonte për në Addis Abbeba, ishin libanezë dhe etiopianë, ndërsa njëra nga udhëtarët ishte edhe bashkëshortja e ambasadorit francez në Liban.

n.e/NOA

KOMENTE