Tiranë, 28 janar, NOA - Pasojat e zbatimit të ligjit antimafia do të jenë mjaft të rënda dhe me efekt afatgjatë për ekonominë shqiptare nëse nuk kryhet njëkohësisht dhe në një kohë sa më të shpejtë amnistia fiskale. Një fakt i tillë është pohuar nga Konfindustria përmes një deklarate të saj për shtyp. "Konfindustria mendon se vetëm shoqërimi dhe ndërthurja e ligjit antimafia me amnisti fiskale të plotë mund të sjellë njëkohësisht goditjen e grupeve kriminale dhe të garantojë mbrojtjen e pasurisë të biznesit e qytetarëve shqiptare, por edhe të mundësojë të ardhura financiare të rëndësishme për ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit", citon kjo deklaratë.
Sipas saj, zbatimi i ligjit antimafia në gjendjen e tashme institucionale, ekonomike të Shqipërisë, pa kryer amnisti fiskale per kapitalet, asetet dhe të ardhurat e qytetarëve shqiptare, rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktimin e pasojave të rënda në uljen e remitancave të emigrantëve, nxitje për largimin e kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar shqiptar, ngadalësim të nismave investuese, si edhe pasiguri në pasurinë e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.
Në fund të kësaj deklarate thuhet se Konfindustria prej kohësh i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit dhe kryeministrit Sali Berisha që të përmirësojnë ligjin "antimafia" dhe shoqërimin e tij në zbatimin e një amnistie të gjerë fiskale për biznesin dhe qytetaret shqiptarë.
n.e/NOA