Tiranë, 28 Janar NOA - Fishë teknike - Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare, ora 17.00, në drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60 minuta). 2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 21.01.2010. 3. Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për ripranimin e personave me qëndrim të parregullt". 4. Projektligj "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare, për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga karburanti i depozitave, 2001". 5. Akt Normativ nr. 10, datë 23.12.2009 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.025, datë 27.11.2008 "Për buxhetin e vitit 2009" të ndryshuar". 6. Projektligj "Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 7651, datë 21.12.1992 "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore" të ndryshuar". 7. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8366, datë 2.7.1998, "Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH)", të ndryshuar". 8. Projektligj "Për Autoritetin e Aviacionit Civil". 9. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar".
Kryetarja e Kuvendit në çelje të seancës, duke përshëndetur votimin e Rezolutës të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, tha se është një rezolutë, e cila përmban brenda vetes thirrjen për opozitën, për të stopuar bojkotin e parlamentit.
"Në të gjitha diskutimet e kësaj seancë plenare të KE, duke filluar nga më e majta më ekstreme, duke vazhduar tek socialistët, socialdemokratët, të qendrës, të djathtës dhe të djathtës ekstreme, që të gjithë i kërkuan liderit të PS që të ndalë bojkotin, sepse bojkoti nuk është mënyra, me të cilën mendon Evropa, se bojkoti nuk është mënyra, me të cilën punon Evropa".
Jashtë rendit të ditës, deputetët trajtuan gjerësisht Rezolutën e Këshillit të Evropës të miratuar sot në Strasburg, për Shqipërinë, letra e Partisë Socialistë drejtuar Asamblesë të KE për të ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar në këtë institucion të rëndësishëm të Evropës, komente mbi qëndrimet më të fundit të Partisë Socialiste, probleme të infrastrukturës energjetike në Dibër.
Deputetët më pas diskutuan projektligjet e përfshira në rendin e ditës. Në fund të seancës deputetët mbajtën një minutë heshtje në nderim të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano.
Seanca plenare i mbylli punimet në orën 20.10.
e.r/NOA