English

Legaliteti: PS po vepron si baballarët e saj të diktaturës

Tiranë, 28 janar NOA - Partia "Lëvizja e Legalitetit" dënon aktin më të fundit të Partisë Socialiste që, me kërkesën e saj për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kishte si qëllim mospjesëmarrjen e vendit tonë në këtë organizëm mjaft të rëndësishëm dhe cenimin e imazhit të vendit tonë në bashkësinë ndërkombëtare.

"Fatkeqësisht, nga lajthitjet e opozitës, jo vetëm partia "Lëvizja e Legalitetit" por i gjithë opinioni politik dhe publik ndjehen të shqetësuar, sepse vendi nuk ka opozitë dhe se kjo e fundit ka kohë që i është shmangur institucioneve dhe po i drejtohet çdo dite e më shumë zgjidhjeve të rrugës", - tha Ekrem Spahiu, kryetar i PLL.

Sipas tij, rikthimi i dukshëm i kursit të Partisë Socialiste në metodat tipike të Partisë së Punës pas 20 viteve pluralizëm tregon jo vetëm papërgjegjshmërinë e lidershipit të kësaj force politike, por edhe faktin e dhimbshëm se baza sociale që e voton PS për inerci të Partisë së Punës ka mbetur e pa emancipuar si 20 vjet më parë.

"Nëse baballarët e tyre ushtruan diktaturën më të egër nga të gjitha vendet komuniste, duke e izoluar plotësisht Shqipërinë, pushkatuar, burgosur, internuar dhe privuar çdo kundërshtar politik, sekuestruar dhe kolektivizuar gjithçka, bijtë e tyre tani mbas 20 vitesh janë mobilizuar si asnjëherë tjetër për të destabilizuar rendin kushtetues dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë", - theksoi Spahiu duke mos kursyer gjuhën e ashpër ndaj opozitës së majtë.

Në përfundim, ai tha se partia "Lëvizja e Legalitetit" mbështet dhe inkurajon çdo përpjekje racionale brenda Partisë Socialiste që synon ta rikthejë atë brenda institucioneve dhe ta bëjë pjesë të zhvillimeve demokratike dhe integruese që po përjeton vendi ynë.

e.r/NOA

KOMENTE