Prishtinë, 28 Janar NOA - Lëvizja Qytetare ZGJOHU! thotë se mirëpret letrën e Komisarit të Lartë të OSBE për të drejtat e pakicave, Knut Volleba¦k, kurse thekson se është thellësisht e dëshpëruar nga fakti që Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të fshehë përmbajtjen e letrës.
Kjo letër, sipas raporteve në media, është dërguar me 18 janar 2010 dhe ka lejuar ngritjen e tensioneve ndëretnike në përmasa të papërmirësueshme duke ndikuar drejtpërdrejt në mosbesim të skajshëm nga shqiptarët.
"Kjo taktikë e Qeverisë për të shtyrë marrëdhëniet midis dy komuniteteve shumicë deri në gërmi po bëhet praktikë dhe kjo tendencë ishte aktuale edhe gjatë rastit të Falsiklopedisë së ASHAM, marrëdhënieve me Kosovën dhe për fat të keq po përsëritet edhe me fëmijët, prindërit dhe mësuesit shqiptar me imponimin e gjuhës maqedonase. Fitohet përshtypja që këto provokime janë të qëllimshme dhe bëhen me prapavija politike për të nxitur tension në marrëdhëniet ndëretnike për konsumim të brendshëm", - shprehet Lëvizja.
Rekomandimet e z. Vollebæk janë plotësisht në vijë me kërkesat e Lëvizjes ZGJOHU!, andaj edhe pas këtij zhvillimi që demaskon politikën e Qeverisë, mbetemi në kërkesën tonë që Ministër Todorov të japë dorëheqje të menjëhershme për arsye morale, për thyerje të ligjit për arsim, për mosrespektim të strategjisë afatgjate për zhvillim të arsimit, për manipulim me rekomandimet e OSBE si dhe për diskriminim ndaj nxënësve, prindërve dhe mësuesve shqiptar, - vijon deklarata.
Sipas Lëvizjes, dorëheqja e pakusht e Ministrit Todorov kërkohet edhe për arsye të deklaratës së tij diskriminuese që për fëmijët maqedonas do të paraqiste ngarkesë e tepërt ajo që ai vet vendosi t'ju imponon fëmijëve shqiptar.
"Apelojmë deri te Qeveria që ditë më parë të përqafojë rekomandimet e z. Vollebæk dhe të konsultohet paraprakisht me ekspert shqiptarë dhe të tjerë për çdo çështje që prek marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend për të evituar radikalizim të situatës në vend në kohë kur të gjitha energjitë duhet të fokusohen në proçeset integruese të vendit në strukturat EuroAtlantike", - përfundon reagimi.
a.b/NOA