Tiranë, 28 janar, NOA - Nisja e reshjeve të dëborës ka krijuar edhe bllokimet e para për disa zona malore në vendin tonë. Sipas raportimeve më të fundit nga korrespondentët në rrethe, bëhet me dijeni se të bllokuara rezultojnë komunat e Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës dhe Arrasit në Peshkopi si edhe ato të Arrenit, Kalisit, Grykë Cajës dhe Zapotit në Kukës.
Sa u përket akseve rrugore, i bllokuar rezulton të jetë aktualisht ai Peshkopi-Durrës, i cili mund të kalohet vetëm me anë të zinxhirëve, si edhe aksi rrugor në Qafë Thanë, ku mësohet se trashësia e dëborës këtë mëngjes ka arritur 50 centimetra.
Në të tilla kushte, autoritetet rrugore i këshillojnë shoferët që të vendosin zinxirë tek makinat e tyre si dhe të respektojnë në maksimum rregullat e qarkullimit rrugor në mënyrë që të shmangen aksidentet rrugore për shkak të dëborës.
n.e/NOA