Tiranë, 28 janar, NOA - Ka vendosur 851 gjoba dhe ka pezulluar 9 leje drejtimit të automjeteve. Ky është bilanci i një dite nga puna e policëve rrugorë të kryeqytetit. Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dije se këto masa janë ndërmarrë në kuadrin e aksionit për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Ndërkaq, bëhet me dijeni se po vazhdojnë kontrollet edhe ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre duke i ftuar ata të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare për të kryer likujdimet.
Njëherësh, shërbimi i Policisë së Tiranës, fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.
n.e/NOA