Tiranë, 28 janar NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi sot me respekt dhe dhimbje të thellë kujtimin e futbollistit më të madh shqiptar, Panajot Panos, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 71-vjeçare.
Në homazhet e zhvilluara në Pallatin e Kongreseve, dhe në kuadrin e ditës së zisë kombëtare për legjendën e futbollit shqiptar, Kryetari i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul përpara trupit të pajetë të sportistit dhe virtuozit të pakrahasuar, i cili me talentin dhe aftësitë e tij, u dhuroi sportdashësve shqiptarë dhe atyre të huaj magjinë e lojës tërheqëse të futbollit duke dhënë një kontribut të paçmuar dhe duke frymëzuar brezat e mëvonshëm të lojtarëve të rinj.
Në vlerësim të futbollistit të madh, që e nis karrierën e tij në SK "Tirana", për ta vazhduar në radhët e "Partizanit" dhe për të shkëlqyer me fanellën e ekipit kombëtar dhe të njeriut me vlera të rralla njerëzore dhe qytetare, i cili është dekoruar vjet nga Kreu i shtetit me Urdhrin ‘'Nderi i Kombit'', Presidenti i Republikës i përcolli familjes dhe të afërmve të Panos si dhe gjithë bashkësisë së sportistëve e sportdashësve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij futbollisti dhe njeriu të veçantë nëpërmjet një prononcimi për mediat e pranishme:
"Sigurisht që kam shumë dhimbje për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë. Por në të njëjtën kohë të një njeriu ekstremisht modest dhe përtej dhimbjes njerëzore që ndjen çdokush, isha me fat që në këtë jetë pata fat që të shikoj talentin e rrallë të sportit shqiptar në fushën e blertë. Për më shumë isha me fat që njoha nga afër një njeri me një dimension të rrallë njerëzor, ku i rrethuar më shumë se kush nga një tifozllëk sportiv dhe njerëzor, ky njeri ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Me këtë shpjegohet që ai sot nderohet nga shumë njerëz të thjeshtë, kolegë të tij, por mbi të gjitha nderohet nga mbarë populli shqiptar. Pra isha me fat realisht që e kisha Panajotin një mik personal".
k.k/NOA