English

Rruga e Bechtel-it

Bechtel është korporatë e madhe amerikane dhe ka përvojë të madhe në vende të ndryshme të botës, në projekte të ndryshme. Duke qenë korporatë e madhe Bechtel ka lidhje të forta me qarqe të fuqishme politike të shtetit amerikan

Nga Visar Ymeri

Bechtel dhe Enka do të vazhdojnë së qëndruari në kampin e tyre të punës në Fushë të Dukagjinit. Pa e përfunduar ende autoudhën që e lidh Durrësin me Morinën ata e fituan edhe një kontratë tjetër për ndërtim rruge te shqiptarët - tash do ta vazhdojnë këtë rrugë deri në Merdar. Kjo është pjesa e mbetur e asaj që është quajtur rruga e kombit, rrugë që i afron shqiptarët dhe që ua lehtëson komunikimin. Natyrisht se ndërtimi i rrugëve është vepër shumë e mirë. Aq më tepër që rruga që po ndërtohet është rrugë e domosdoshme për të na afruar si komb (të paktën) në aspektin infrastrukturor.

Por kjo bartë edhe kosto financiare. Se ndërtimi i rrugëve kushton. Mirëpo sa do të na kushtojë? Këtu fillojnë problemet. Zyrtarisht është deklaruar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit se çmimi përfundimtar si dhe gjatësia e saktë e rrugës do të dihen pas negociatave që Ministria do t'i bëjë me Bechtel dhe Enka. Jo zyrtarisht janë folur shuma të ndryshme prej 600 milionëve deri në 800 milionë. Vetë Fatmir Limaj deklaroi se pret që rruga të kushtojë diku 800 milionë euro për 103 kilometra (pjesa vetëm deri në Besi). Problemi këtu qëndron se kostoja finale nuk dihet ende. Dhe kjo mund të jetë 600 milionë euro apo 800 milionë euro varësisht nga negociatat fillestare mirëpo edhe varësisht punës së vazhdueshme ne terren. Praktika e Shqipërisë tregon se me kompani si Bechtel kostoja përfundimtare merret vesh vetëm në fund të projektit. Pra vetëm pasi që të jetë përfunduar puna ne do ta marrim vesh se sa para ia kemi borxh Bechtelit. Dhe atëherë vështirë se mund të negociojmë. Për shkak se në atë kohë çdo gjë ka marrë fund.

Bechtel është korporatë e madhe amerikane dhe ka përvojë të madhe në vende të ndryshme të botës, në projekte të ndryshme. Duke qenë korporatë e madhe Bechtel ka lidhje të forta me qarqe të fuqishme politike të shtetit amerikan (njëri prej personave që ka punuar për Bechtel ka qenë edhe George Shultz, sekretar shteti i Amerikës në kohën e Ronald Reagan). Marrë parasysh fuqinë që e ka administrata amerikane dhe politikanët amerikan globalisht, lehtë mund të thuhet se Bechtel i ka dyert e hapura për projekte nëpër botë. Mirëpo jo vetëm kaq. Fuqia e tyre ekonomike dhe politike u jep atyre edhe pozitë shumë të lakmueshme negociuese të kontratave. Kjo mund të merr përmasa të tmerrshme kur Bechtel negocion me shtete të vogla si puna e Kosovës, apo me politikanë të korruptuar e të qullët sikur puna e politikanëve të Kosovës. Në situata të tilla Bechtel thjesht i fiton të gjitha. E kur në anën e kontratës jemi ne, kjo nënkupton se ne rrezikojmë t'i humbim të gjitha. Kontrata standarde e Bechtel që e kanë përdorur globalisht ka qenë kontratë e llojit ‘kostoja plus komisioni', që nënkupton që pas kryerjes së punëve Bechteli e faturon koston e përgjithshme të projektit mirëpo edhe komisionin që ajo e kërkon për kryerjen e punës. Kjo lloj kontrate është e ndryshme nga ofertat tjera të zakonshme në tenderët e prokurimit publik ku kompania paraprakisht tregon koston e gjithëmbarshme të projektit ku ata e llogarisin edhe përfitimin e vet. Në rastet e zakonshme agjencia prokuruese qysh në fillim e di se sa do të kushtojë projekti i caktuar dhe është i mirëinformuar që të vendos nëse do të vazhdojë me projektin apo jo. Mirëpo në rastin e Bechtel kjo gjë nuk dihet në fillim, dhe meqenëse kostoja është blanko, kjo i lejon shumë hapësirë për keqpërdorime korporatës po edhe politikanëve tanë.

Tash të shpresojmë se do të punojnë me nderë është naivitet. Bechtel është korporatë dhe si e tillë, brengoset për vetëm një gjë: maksimalizimin e profitit. Bechtel nuk është institucion dashamirës i cili ka për qëllim ta shpërndajë të mirën nëpër botë, dhe t'i ndihmojë ata që kanë nevojë. Rrjedhimisht ata as në Shqipëri e as në Kosovë nuk kanë ardhur për të na ndihmuar, por për interes ekonomik. E nëse atyre u lihet hapësirë që maksimalizojnë profitin, ata nuk do të zgjedhin mjete për këtë.

Faqja në internet Corp Ëatch (ëëë.corpëatch.org) të cilët bëjnë monitorimin e të bëmave të korporatave të ndryshme nëpër vend të ndryshme të botës, artikullin e vet për Bechtel e fillojnë me këtë titull: Profiting from destruction (Përfitimi nga shkatërrimi). Kjo sipas kësaj faqeje është historia e Bechtel. Këta janë përfituesit e dytë më të mëdhenjë nga rindërtimi i Irakut pas Haliburton. Gjatë kohës sa kishte qenë në pushtet Sadam Hyseini administrata amerikane e Reagan kishte lobuar në mënyrë agresive të autoritetet e Irakut për t'ia dhënë Bechtelit kontratën e ndërtimit të njërit prej naftësjellësve të Irakut. Menjëherë pas rrëzimit të Sadam Hyseinit nga pushteti ishte prapë Bechtel korporata që e fitoi kontratën e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Bechtel po ashtu njihen për projektet e tyre të privatizimit të resurseve të ujit nëpër vende të ndryshme të botës. Bolivia është rasti më eklatant ku në kontratë Bechtel e kishte futur edhe kauzolën që ua ndalonte boliviasve madje ta përdorin edhe ujin e shiut! Duke qenë që i privatizoi resurset e ujit dhe rrjetin e furnizimit me ujë në Bolivi, Bechtel e ngriti çmimin e furnizimit me ujë për 100% sa që qytetarët e varfër të Bolivisë më të hyra mujore prej 60 dollarësh u ballafaquan me fatura të ujit prej 20-25 dollarë. Ata thjeshtë nuk kishin para për ta paguar atë. Dhe kështu mbesnin pa ujë. U deshën demonstrata afatgjata të qytetarëve atje, me çrast u vranë disa demonstrues e u plagosën e arrestuan me qindra të tjerë deri sa qeveria e Bolivisë u detyrua t'a anulojë kontratën me Bechtel. Bechtel e nisi procedurën gjyqësore kundër Bolivisë për humbje profitesh në vlerë prej 25 milionë dollarë. Rasti vazhdon të mbetet i hapur në gjykatën e Bankës Botërore. Në vitin 2004 qeveria e Rumanisë ia kishte dhënë kontratën për ndërtimin e autoudhës së Transilvanisë Bechtelit. Më 2005 Rumania vendosi ta rinegociojë kontratën me Bechtelin pasi që punët kishin filluar. Në vitin 2009, pas pesë viteve, punët ende vazhdojnë me vetëm 42 kilometra rrugë të ndërtuara dhe me një kosto të deritahsme prej 1 miliardë dollarësh.

Po ne si do ta paguajmë rrugën? Ky është misteri tjetër. Sipas Fatmir Limajt Bechtel ka ofruar ndihmë edhe në marrjen e kredive për rrugën duke rekomanduar institucione financiare të cilat do të kishin qenë të interesuara për të na dhënë kredi për rrugën. Ky, një aspekt tjetër i dashamirësisë dhe vullnetit të mirë të Bechtel. Për shkak se kreditë vështirë se do të jenë të volitshme, e veçanërisht në këtë kohë kur kriza financiare vazhdon ta jehojë nëpër botë, dhe kur Kosova si shtet gjendet përballë një krize të thellë ekonomike. Këta parametra merren parasysh nga bankat dhe e ndikojnë çmimin e kredisë. Sado e shtrenjtë që të jenë ato në fund të gjitha do t'i paguajmë ne.

KOMENTE