English

Surpriza, G99 kërkon zyrtarisht të gjitha kopjet e fletëvotimeve të 28 qershorit

Nëse kjo kërkesë do të pranohet nga KQZ, atëherë, hapja e kutive që Rama këmbëngul, efektivisht është e panevojshme, sepse fotokopjet e të gjitha fletëve të votimit që po kërkon G99, janë mënyra më e mirë për të verifikuar dyshimet që opozita ka për vjedhje mandatesh

Tiranë, 28 Janar NOA - Lëvizja G99 e drejtuar nga ish-kreu i MJAFT Erjon Veliaj, ka vendosur të kërkojë zyrtarisht, kopjet e të gjitha fletëve të votimit që u hodhën në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor 2009.

Në këtë mënyrë, një "tjetër" armë po përdoret nga opozita për të "hapur" kutitë. Sipas ligjit, çdo informacion që nuk përbën sekret shtetëror, mund t'i jepet çdo media, individi apo subjekti që e kërkon madje për këtë ka dhe afate ligjore prej jo më shumë se 40 ditësh.

Duket se pikërisht këtë kanë shfrytëzuar pjesëtarët e G99, një forcë politike pranë PS dhe kreu i saj Erjon Veliaj, i njohur si një ndër emrat më pranë Edi Ramës, ka vendosur të "turbullojë" politikën shqiptare me këtë kërkesë që në fakt është as më pak dhe as më shumë, por hapje e kutive.

Nëse kjo kërkesë do të pranohet nga KQZ, atëherë, hapja e kutive që Rama këmbëngul, efektivisht është e panevojshme, sepse fotokopjet e të gjitha fletëve të votimit që po kërkon G99, janë mënyra më e mirë për të verifikuar dyshimet që opozita ka për vjedhje mandatesh.

***

G99 konfirmoi për agjencinë NOA, se kërkesën zyrtare do ta bëjë sot (e Enjte) në orën 12.00 në KQZ, (Komisionin Qendror të Zgjedhjeve).

"Në bazë të së drejtës kushtetuese për informim, përfaqësues të G99 dhe avokatë të kësaj force politike do të jenë në zyrat e KQZ-së në orën 12.00, ku do të bëjnë kërkesën zyrtare për t'u informuar', - thuhet në informacionin e dhënë nga G99.

Sipas ligjit shqiptar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu si edhe çdo institucion tjetër shtetëror është i detyruar që të vërë në dispozicion të kërkuesit, në këtë rast të G99, të gjithë informacionin e kërkuar, brenda 40 ditëve nëse nuk përbën sekret shtetëror.

G99 argumenton se fletët e votimit janë dokumente të paklasifikuar si sekret që përmbajnë informacion dhe si të tilla, kushdo në këtë vend ka të drejtë të njihet me këtë informacion, ashtu siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë dhe të gjitha ligjet apo aktet e tjera ligjore e nënligjore për të drejtën e informimit.

Përfaqësues të G99, thanë se pasi të kenë dorëzuar kërkesën për informim pranë KQZ-së, do të artikulojnë në një konferencë për shtyp në dalje të këtij institucioni, të gjitha argumentet ligjore dhe logjike të një nisme të tillë.

e.r/NOA

KOMENTE