Tiranë, 28 janar NOA - Ekstradohet nga Greqia një 42-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me pasojë vdekjen.
Andrea Berberi, 42-vjeç lindur në Korçë është ekstraduar sot nga Athina pasi Gjykata e Apelit në Korçë, më datë 3 tetor të vitit 2008 e ka dënuar atë me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes me pasojë vdekje" e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor Berberi ka ndodhur më datë 4 janar të vitit 2000, në fshatin Kapshticë, Devoll, në vendin e quajtur Qershitë, kur ai në bashkëpunim me Ilir Qose, kanë ndaluar disa persona që po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për t'u futur në territorin grek, dhe të maskuar, përmes kanosjes me armë automatike, u kanë grabitur atyre paratë.
Njëri prej emigrantëve ilegalë, Xhemal Guri, që ka tentuar të largohet, është qëlluar me armë nga dy autorët dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Berberi u strehua në Greqi për një kohë të gjatë por u kap në tetor të vitit të kaluar me qëllim ekstradimi gjë e cila u bë e mundur ditën e sotme.
k.k/NOA