Beograd, 29 janar, NOA - Ambasadori i emëruar i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, në një ceremoni të posaçme i ka paraqitur presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, letrat e tij kredenciale. Me këtë rast, përfaqësuesi shqiptar e ka siguruar presidentin Tadiç për vullnetin e mirë që sipas tij qeveria shqiptare ushqen mbi përparimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve tona. Nga ana e tij, presidenti serb shprehu bindjen se pala serbe ndan të njëjtin mendim se të dy shtetet gjenden në një moment kyç të marrëdhënieve dypalëshe.
Ndër të tjera, ai theksoi se zhvillimi i tyre do të merrte një impuls të ri me nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve, të cilat do t'i shërbenin jo vetëm interesit reciprok të vendeve, por edhe si shembull inkurajimi për mbarë rajonin, për stabilitetin e prosperitetin e tij.
Më tej, presidenti Tadiç shtoi se BE është objektivi strategjik i përbashkët i të dy vendeve dhe se bashkëpunimi në këtë drejtim do të ketë rendësi të veçantë, pasi vizioni për një të ardhme të rajonit në familjen e kombeve evropiane i shërben edhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
n.e/NOA