Tiranë, 29 janar NOA - Antitrafiqet e Policisë së Tiranës çuan në qeli pasditen e sotme një 46-vjeçar të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.
Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë, organizuan sot operacionin e koduar "Udine", i cili u finalizua me arrestimin 46-vjeçarit Agim Imeri, lindur në Kukës e banues në Tiranë.
Burime zyrtare nga policia thanë se arrestimi Imerit u krye pasi ai dyshohet se në muajin gusht të vitit 2009, ka trafikuar në Udinë të Italisë, për qëllime prostitucioni një 23-vjeçare nga Tirana, të cilën e ka shfrytëzuar përreth 4 muaj.
Proçedimi penal në ngarkim të 46-vjeçarit ka filluar pas dhënave të siguruara nga seksionit i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme e pas kallëzimit penal të deponuar edhe nga vetë e dëmtuara, e cila deklaron se në muajin gusht të vitit 2009, Agim Imeri e ka marrë duke e trafikuar atë, nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë.
Kapja e tij u realizua në ambientet e një lokali në qendër të Kombinatit në Tiranë.
Policia kishte rreth tre muaj që hetonte dhe survejonte 46-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, në cilësinë e provës materiale u gjendën një pistoletë kalibër 9 mm si dhe shumë fatura dhe korrespondencë bankare që i dërgonte nga Italia për në Shqipëri, në kohën kur kryente këtë aktivitet kriminal. k.k/NOA