Tiranë, 29 janar, NOA - Bojkoti i Partisë Socialiste ndaj institucionit të parlamentit nuk pranohet dhe në këtë kontekst, përdorimi i tij kundër interesave të vendit, përbën një përgjegjësi të jashtëzakonshme për ata që e shkaktojnë atë.
Një fakt të tillë e ka deklaruar gjatë një konference për shtyp, kryeministri Berisha, duke iu drejtuar kryesocialistit Rama se duhet të dëgjojë evropianët që po e kundërshtojnë bojkotin e iniciuar prej tij.
"Uroj dhe dëshiroj që z.Rama jashtë emocioneve, të dëgjojë zërin e sinqertë të tempujve të mëdhenj të demokracisë evropiane, Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian dhe cilitdo institucion tjetër ndërkombëtar që pohon se bojkoti është mjet antidemokratik, kur është i kësaj forme të paprecedent, pra ajo që thotë ai se njeh rezultatin e zgjedhjeve, por nuk njeh parlamentin", deklaroi Berisha lidhur me një fakt të tillë.
Sipas Berishës, Rama duhet të dëgjojë jo dashamirësit e tij në Evropë, duke iu referuar kështu parlamentarëve socialistë evropianë të cilët në deklaratat e tyre të fundit kanë dalë kundër bojkotit të socialistëve shqiptarë ndaj Kuvendit.
"Respekti i Kushtetutës dhe institucioneve zgjedhore është detyrimi më madhor.
Palët politike kanë të drejtë të përgatisin arbitrat dhe dokumentat, por jo të vlerësojnë ato zgjedhjet se kjo nuk pranohet as në botë dhe as kudo", përfundoi fjalën e tij lidhur me këtë argument kryeministri Berisha.
n.e/NOA