English

Djali i Arta Dades: Unë, viktimë e terrorit verbal politik

>> Orik Shyti: Berisha, në vështirësi

Tiranë, 29 Janar NOA - Akuzat e një dite më parë të Partisë Demokratike se djemtë e Arta Dades, deputete e PS, kanë lidhje me banda kriminale, kanë sjellë reagimin e Alban Dabullës, djali i ish-ministres së Jashtme dhe ish-ministres së Kulturës në qeveritë socialiste.

Dabulla thotë se ai është "viktimë e terrorit verbal të një pjese të politikës shqiptare prej pesëmbëdhjetë vjetësh".

"Në ato fillime isha ende fëmijë dhe shpresoja se bashkë me mua do të rritej e do piqej dhe kjo pjesë e politikës e si rrjedhoje unë do të shpëtoja nga fenomeni dhe Atdheu im i dashur do të fitonte drejtues të rritur e seriozë", - thotë Alban Dabulla, në deklaratën e tij për agjencinë NOA.

Sot me keqardhje konstatoj se ndërsa unë jam rritur, pjesa e politikës vazhdon të përpëlitet në shtratin e saj foshnjor duke bërë që shpresa ime e vjetër të zërë vend tek fëmija im, - vijon reagimi.

"Për të sqaruar atë pjesë të opinionit publik që nuk më njeh deklaroj se fatmirësisht kam një numër shumë të madh miqsh dhe askush prej tyre nuk është i paligjshëm apo aq më keq pjesë e ndonjë bande por, janë njerëz të respektuar kudo që jetojnë madje edhe më të respektuar se fëmijët e politikanëve foshnje", - thotë më tej Alban Dabulla në deklaratën e tij dhënë për agjencinë NOA.

"Prandaj jam krenar dhe mirënjohës për nënën time e cila më edukoi me përkushtim duke më dhënë mundësinë që nëpërmjet gjykimit të shëndoshë të zgjedh më të mirën në jetë. Faleminderit Nënë", - vijon deklarata.

Kurse në mbyllje, Dabulla lëshon apelin: "Shpresoj që politika mos ta shpërdorojë më kohën e dhënë nga taksapaguesit shqiptarë duke përgojuar familjarët e njëri-tjetrit sepse, si thotë populli: "Koha është flori".".

Reagimi i Alban Dabullës vjen pasi zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli publikoi disa foto ku tregohej se djali i Dades i kishte dërguar Orik Shytit në një adresë në Zvicër, disa pako.

"Në këtë foto, shohim qartë 2 koli, pra 2 pako që djali i Arta Dades, Alban Dabulla ia dërgon me postë Orik Shytit, pra njërit prej eksponentëve të organizatës më të rrezikshme kriminale të "Hakmarrjes për Drejtësi", - deklaroi Mëhilli.

Për PD, "janë lidhjet e krimit ato që e shndërrojnë Daden në njeriun më të besuar dhe zëdhënësen e jashtme të Edvin Kristaq Ramës. Daden dhe Ramën i bashkon Aldo Bare dhe "Hakmarrja për Drejtësi".

Madje PD e akuzoi Daden se është "veçse ndrikulla e "Hakmarrjes për Drejtësi" që zbaton urdhrat e kumbarit Edvin Kristaq Rama".

e.r/NOA

Lexoni reagimin e Shytit: Orik Shyti: Berisha sërish në vështirësi, thërret në ndihmë "Hakmarrjen për Drejtësi"

KOMENTE