English

"Drejt Lirisë" merr çmimin "Mirënjohja" në Festivalin e Gjilanit

Nga Milena Selimi/NOA

Gjilan, 29 Janar NOA - "Një aktor i shkëlqyer, një spektakël i mrekullueshëm, ku komponentët aktor-tekst-regji ishin në nivelin më të lartë", do të shprehej vetëm pak minuta pas shfaqjes aktori i mirënjohur, Enver Petrovci.

Me një performancë perfekte në gjininë teatrore të quajtur "One man shoë", shfaqja me autor-aktor Erand Sojlin dhe regji nga Robert Budina, produksion i kompanisë "Era Produktion" dhe Teatrit të Metropolit, ishte pjesëmarrëse në festivalin e dramës shqipe në manifestimin kulturor "Flaka e janarit 2010" në Gjilan.

Batutat, situatat dhe krejtësisht tregimi komik pushtuan sallën dhe spektatorin që në minutat e para dhe ai e shpërbleu me duartrokitje për rreth 15 minuta, duke surprizuar aktorë, kritikë dhe dashamirës të artit skenik.

"Erandi na dha shpresën se edhe arti teatror shqiptar mund të sjellë nivele të larta artistike në këtë gjini avangardë, krejtësisht të panjohur për skenën shqiptare, na frymëzoi me guximin e tij për të vazhduar në këtë rrugë", do të vazhdonte me përshtypjet e tij, Enver Petrovci.

Për të gjitha risitë e shfaqjes, për mirëpritjen e padiskutueshme të publikut gjilanas, shfaqja "Drejt lirisë" u nderua me çmimin special "Mirënjohja" nga Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, z.Qemajl Mustafa, me motivacionin: "Performancë e shkëlqyer artistike, për guximin e temës që trajton, për suksesin e komunikimit me publikun dhe për një nivel të lartë interpretimi nga aktori Erand Sojli".

"Jam i lumtur nga kjo atmosferë e ngrohtë teatrore dhe nga interesimi i madh i spektatorit. Mbetem me idenë se publikut i duhet gjetur një çelës komunikimi, që t'i zgjojë shpirtin për t'u afruar me teatrin. Unë po tentoj në këtë gjini dhe mendoj se fillimi është i mbarë", u shpreh në takimin me kritikën dhe mediat, aktori Erand Sojli.

Ai tregoi me detaje në një ndërthurje të saktë të fjalës, pantomimës, muzikës dhe projeksionit vizual sa kushton liria e shqiptarëve, duke u nisur nga një analizë e mprehtë, me pikënisje vetveten.

Me lojën e tij të shkëlqyer solli para spektatorit disa personazhe (interpretuar me mençuri deri në detaje në regjistra të ndryshëm të zërit), të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, por në këtë tentativë hasin në peripeci të ndryshme, që fillon që nga pajisja me vizë, vështirësitë në aeroport, çuditë e para të fluturimit në aeroplan, gjithnjë me dozën e humorit, satirës, por edhe të një ironie, për të mbërritur kështu deri në vendin e huaj.

I konsoliduar tashmë në rrugën e tij si aktor, Erand Sojli na prezantohet si një autor i kujdesshëm i fjalës, që krijon situatën, hedh pyetjet në publik dhe mirëpret përgjigjet nga salla.

Tentativa e tij e parë në gjininë "One man show" ka nisur në vitin 2007, me shfaqjen "Një mbrëmje ndryshe me Erandin", një produksion i teatrit "Skampa" në Elbasan, i cili kishte në vëmendje robotizimin e artistit, temë e dashur për autorin, ku edhe në shfaqjen "Drejt lirisë" heq paralele të rëndësishme mes fatit të artistit dhe mbijetesës së vështirë në një jetë shqiptare, ku interesimi kryesor mbetet politika dhe ata, pushtetarët, aktorët më të paguar, sipas Sojlit.

Çfarë e mbajti gjallë publikun gjilanas dhe atë shqiptar, kudo që kjo shfaqje po vazhdon të jepet me sukses?

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, me pjesëmarrjen e qindra artistëve, kritikëve dhe publikut gjilanas, aktori Enver Petrovci shpjegoi se "suksesi i shfaqjes ‘Drejt lirisë' qëndronte në harmonizimin e detajeve artistike, në guximin e autorit për të thënë të vërtetat shqiptare që dhembin, në mendimin e saktë skenik dhe gjetjet e batutës, që mban të gozhduar spektatorin.

Një performancë e pakonkurrueshme në këtë festival të dramës tradicionale shqiptare. Unë u uroj autorëve të vazhdojnë turneun e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku do të gjejnë një publik shumë të dashur për këtë gjini skenike".

"Drejt lirisë" do të vazhdojë turneun e saj në Elbasan, në datat 30 dhe 31 janar, në teatrin "Skampa" dhe një javë më pas në Teatrin e Metropolit në Tiranë. Shfaqja është një prodhim i kompanisë "Era Production" dhe mbështetet nga "DigitAlb".

m.s/e.r/NOA milena.selimi@noa.al

KOMENTE