Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 29 janar NOA - Kompania serbe e energjisë Rudnap, e cila është në pronësi të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili po hetohet nga Prokuroria Shqiptare për afera korruptive është në listën e firmave që korporata elektroenergjitike do të shesë energjinë.
KESH bëri publik faktin se ka siguruara kontratat për eksport gjatë muajit shkurt me tre kompani, ku Rudnap pritet të blejë afro 17% të energjisë, duke konfirmuar në këtë mënyrë marrëdhënien e pandërprerë mes kësaj kompanie dhe qeverisë shqiptare. Sipas drejtorit të tregtimit të energjisë në KESH, Endrit Tafani janë siguruara kontratat edhe me dy kompani të tjera EFT dhe EGL Zvicër.
Përsa i përket çmimeve me të cilat do të shitet energjia, Tafani u shpreh se do të merret për bazë bursa greke, e cila ka dhe çmimet më të larta se bursa gjermane apo ajo rumune.
Çështja Fazlliç përfshiu në skandal qeverinë shqiptare, e cila mohoi fillimisht se kompania e tij të kishte përfituar nga paratë e buxhetit të shtetit.
Por më pas rezultoi se gjatë viteve 2006-2007 KESH kishte importuar nga kompania e Fazlliç pjesën më të madhe të energjisë që i nevojitej.
Fazlliç njihet si klient i studios ligjore të vajzës së kryeministrit Berisha.
Nga ana tjetër Korporata Elektroenergjitike është përfshirë në hetim nga prokuroria për shkak të përmbytjeve të zonës së Nënshkodrës.
Kreu i KESH Muharrem Stojku pak ditë më parë u pyet nga Prokuroria e Shkodrës për më shumë se dy orë lidhur me menaxhimin e kaskadës së Drinit, importet dhe eksportet e energjisë gjatë periudhës dhjetor janar.
r.l/NOA