English

Gjendet e vdekur 25-vjeçarja greke, shqiptari dorëzohet në polici: E vrava unë

Athinë, 29 Janar NOA Update - Një 25 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u gjet e vrarë në Greqi, kurse i dashuri i saj shqiptar, u zhduk menjëherë pas gjetjes së trupit të të ndjerës, vrarë me armë gjuetie por sot në mesditë u dorëzua dhe pranoi krimin.

Korrespondenti i agjencisë NOA informon se ngjarja ka ndodhur në Astako të Greqisë, ku një ditë më parë, është gjetur kufoma e 25-vjeçares, një shtetase greke e cila jetonte në zonën e Makrinias.

Policia e rajonit të Etolisë që mbulon dhe zonat e Astakosë dhe Makrinias, tha se 25-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, ishte qëlluar me armë zjarri në kokë.

Më pas, trupi i saj ishte hedhur në disa shkurre në pyllin e Ligovicës, jo larg vendbanimit dhe kishte qëndruar atje përmbi dhjetë ditë por pa u dëmtuar trupi për shkak të dëborës dhe të ftohtit.

Viktima bashkëjetonte prej disa kohësh në fshatin Mataranga, me një djalë shqiptar, 30 vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

E ndjera, pak para se të lidhej me emigrantin shqiptar, jetonte në Kardhica, ku ishte ndarë me të shoqin, një shtetas grek, me të cilin kishte dhe dy fëmijë.

Ajo punonte në klubet e natës së zonës së Makrinias.

Policia tha se u përpoq të merrte në pyetje të dashurin shqiptar të viktimës por ai nuk u gjet ndaj dhe e ka shpallur në kërkim.

Hetuesit thanë se e konsiderojnë 30 vjeçarin shqiptar si të dyshuarin e vetëm për vrasjen e shtetases greke.

I riu shqiptar u dorëzua vetë sot në rajonin policor ku tha se ishte ai i dashuri i 25-vjeçares greke të cilën pranoi se e kishte vrarë me armiq gjuetie, një çifte, dy ditë më parë.

I dyshuari i tha policisë se e kreu krimin në gjendje të dehur dhe në kushte të tronditjes së thellë psikologjike.

Sipas dëshmisë së të riut, ai e kishte vrarë 25-vjeçaren më 17 janar 2010 pak pasi së bashku me dy shqiptarë të tjerë kishin qëndruar në një lokal në Agrinio.

Shqiptari pranoi se kishin konsumuar sasi të mëdha pijesh alkoolike dhe tregoi se pasi ishte ndarë me shokët e tij kishte udhëtuar me makinën e tij me të dashurën për në shtëpi.

Por gjatë rrugës kishte nisur sherri mes tyre, ndërsa gjendeshin pranë lokalitetit Astako.

Në gjaknxehtësi e sipër, 30-vjeçari ka marrë çiften dhe e ka qëlluar në kokë.

I riu tregoi se çiften e kishte marrë më 26 dhjetor nga një shtetas grek në Mataranga pranë vendbanimit të tij, për gjueti.

n.s/e.n/NOA

KOMENTE