English

Klinton në Paris: Duam që Evropa të jetë e sigurt

Paris, 29 Janar NOA - Për ta mbajtur Europën të sigurt, duhet të mbajmë të hapura kanalet e komunikimit duke qenë të drejtpërdrejtë mbi politikat dhe përqasjet .

Kështu deklaroi sot në një fjalim në Ecole Militaire në Paris mbi Sigurinë Europiane, Sekretarja e Shtetit Hilari Rodham Klinton foli për përkushtim ndaj Ushtrimit të Transparencës në marrëdhëniet e SHBA me Europën.

Klinton ka evidentuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin një shkëmbim më të hapur të dhënash ushtarake, përfshi vizitat për në qendrat ushtarake.

Ajo vlerësoi se "Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Europë ka nevojë për vëmendjen tonë" dhe detajoi: "Synimi ynë duhet të jetë një kuadër modern sigurie që forcon parimet e integritetit territorial, mospërdorimin e parë të forcës, transparencën, dhe të drejtën e vendeve pritëse për të miratuar stacionimin e trupave në territorin e tyre".

Më tej në fjalimin e saj, Klinton theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë partnerë thelbësorë për të përballuar sfidat e sotme globale dhe vuri në dukje se ne jemi gati të forcojmë bashkëpunimin me një Europë që është e fortë dhe e bashkuar.

Sot, në sajë të partneritetit midis kombit tonë dhe shumë të tjerëve, Europa është më e sigurtë se kurrë më parë, - tha Klinton por shtoi se mbetet shumë punë e rëndësishme e pambaruar.

Ajo pohoi se "mirëpresim të menduarit e ri mbi sigurinë europiane që është në proces në të dyja anët e Atlantikut, ndërkohë që punojmë me partnerët tanë për të forcuar dhe zgjeruar sigurinë në Europë, këtë do ta bëjmë duke u bazuar mbi një themel të qëndrueshëm parimesh thelbësore".

Sikundër detajoi Klinton, këto parime përfshijnë përkushtim ndaj Sovranitetit dhe Integritetit Territorial të të gjitha Shteteve.

Shtetet e Bashkuara duhet dhe do të mbeten vigjilente në përpjekjet tona për të minuar çfarëdo përpjekjeje për të minuar të drejtën e të gjitha vendeve për të ndjekur politikat e veta të jashtme, të zgjedhin aleatët e tyre, si dhe të sigurojnë mbrojtjen e tyre, - tha Klinton.

Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fort çfarëdo sfere influence në të cilin një vend kërkon të kontrollojë të ardhmen e një vendi tjetër.

Një tjetër parim ishte pranimi se Siguria në Europë Duhet të jetë e Pandashme. Siguria e të gjitha vendeve është e ndërlidhur.

"Ne duhet të punojmë së bashku për të përforcuar sigurinë e njëri-tjetrit, pjesërisht duke u angazhuar me njëri-tjetrin në ide dhe përqasje të reja. Duam të punojmë së bashku me Rusinë për të riafirmuar parimet e Aktit Përfundimtar të Helsinkit dhe Aktit Themelues NATO-Rusi. Shtetet e Bashkuara janë krenare për atë çka dy vendet tona kanë arritur gjatë vitit të kaluar", theksoi Klinton duke premtuar se "do të vazhdojmë të ndërtojmë një marrëdhënie më thelbësore dhe konstruktive bazuar mbi interesat tona të ndërsjella".

Më tej në fjalimin e saj, Klinton foli për përkushtim të Palëkundur ndaj Mbrojtjes dhe Sigurisë Kolektive të Aleatëve të NATOs.

Ajo kujtoi se ky premtim ruhet në Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në të cilin një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve dhe tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Aleatët tanë për të zhvilluar plane rezervë për t'iu përgjigjur kërcënimeve të reja e në zhvillim.

"Jemi të angazhuar në diskutime të frytshme me aleatët europianë mbi pjesëmarrjen e tyre të mundshme në arkitekturën e re të mbrojtjes nga raketat. Gjithashtu po shqyrtojmë mënyrat për të bashkëpunuar me Rusinë në mënyra të tilla që përforcojnë sigurinë e të gjithë Europës, përfshi Rusinë", - tha Klinton.

Një tjetër argument i Klinton ishte besimi që njerëzit kudo kanë të drejtën të jetojnë të lirë nga frika e shkatërrimit bërthamor.

Ajo kujtoi faktin se Presidenti Obama ka deklaruar një synim të çlirimit të botës nga armët bërthamore.

Kurse paralajmëroi: "Për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, ne do të mbajmë mjete frenuese të sigurta, siguri-dhënëse, dhe të efektshme për të na mbrojtur ne dhe aleatët tanë".

Klinton evidentoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pranë përfundimit të një traktati të ri START për të zvogëluar arsenalet tona bërthamore strategjike, kurse shtoi se "SHBA gjithashtu do të planifikojë të ardhmen e forcave të veta bërthamore në Rishikimin e Pozicionit Bërthamor, do të presë një Samit të Sigurisë Bërthamore për të trajtuar rrezikun e materialeve të pasiguruara bërthamore, do të kërkojë të forcojë Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, do të ndjekë bisedimet për një Traktat a për Ndalimin e Materialeve të Zbërthyeshme, si dhe do të ecë përpara për të ratifikuar Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve".

a.b/e.r/NOA

KOMENTE