English

Kreu i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës vizitë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë

Tiranë, 29 janar NOA - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani u prit paraditen e sotme nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj shprehu interesimin e saj dhe të të gjithëve anëtarëve të Gjykatës së Lartë, mbi situatën dhe organizimin e gjyqësorit në Kosovë, duke u shprehur gjithashtu se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët e tyre, të cilët në këto momente të rëndësishme të konstituimit të institucioneve themelore të shtetit, kanë shumë nevojë për asistencë dhe mbështetje të vazhdueshme.

Beçaj, bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë duke e njohur kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, duke i përcjellë këtij delegacioni një urim special për nisjen e një pune të mbarë dhe të rëndësishme në zbatim dhe garantim të Kushtetutës se Kosovës.

Gjate takimit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovë, Enver Hasani, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në mënyrë që ndihma teknike e marrë nga njëri-tjetri ta vendosë gjykatën Kushtetuese të Kosovës në fakultetin e Gjykatave Kushtetuese të rajonit e më gjerë.

k.k/NOA

KOMENTE