Tiranë, 29 janar NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani së bashku me anëtarët e kësaj gjykate, të ardhur në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
"Kjo gjykatë ka sfida të mëdha por shumë të rëndësishme në forcimin e sistemit të së drejtës në Kosovë" tha gjatë bisedës Hasani.
Kryetarja e Kuvendit tha se institucioni i Gjykatës Kushtetuese është ndër më të rëndësishmit në sistemin e drejtësisë dhe që ka një peshë të jashtëzakonshme.
Ajo deklaroi se integriteti i gjyqtarëve është thelbi i mirëfunksionimit të gjykatave.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi progresin e madh të Kosovës në forcimin e mëtejshëm të institucioneve.
"Energjia dhe identiteti evropian janë vlera të jashtëzakonshme të kombit" tha Topalli.
k.k/NOA