Londër, 29 Janar NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm Ilir Meta, në një intervistë për BBC-në tha se rrëzimi i projektmarrëveshjes për kufijtë detarë mes Shqipërisë e Greqisë, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, nuk do të cënojë aspak të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Meta tha se ndjehej i keqardhur për atë që ai e quajti "instrumentalizim të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike".
Ndërsa theksoi se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cënojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara".
Më poshtë gjeni intervistën e plotë të zbardhur:
Z. Meta çfarë mund të ofrojë Shqipëria në takime të kësaj natyre?
Shqipëria ka ofruar mjaft në drejtim të angazhimit të saj përsa i takon çështjes së Afganistanit. Është ndër shtatë vendet e para kontribuese. Aktualisht në Afganistan janë rreth 230 trupa shqiptare, ndërkohë që ka angazhime të reja pas shpalljes së strategjisë së re nga ana e presidentit Obama për Afganistanin që ka të bëjë me angazhimin e 65 trupave të tjera ushtarake, 35 prej të cilave janë forca speciale dhe 30 të tjera për qëllime trajnimi, si dhe një ekip mjekësor prej një personeli prej 20 vetësh.
Shqipëria ka edhe angazhime të tjera në drejtim të rehabilitimit të shkollave në Afganistan. Ka marrë përsipër rikonstruksionin e tetë shkolave atje, ka ofruar 100 bursa për të rinj afganë që do të studiojnë në Universitetet e vendi tonë, dhe absolutisht është një nga vendet që për sa u përket kapaciteteve të saj kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe shumë të vlerësuar.
A është caktuar ndonjë afat për dërgimin e trupave shtesë?
Besoj se ato do të dërgohen së shpejti në përputhje edhe me gjithë atë që kërkon bashkërendimi me të gjitha trupat e tjera atje.
Konferenca të tilla zoti Meta janë edhe një shans për takime dypalëshe me homologët tuaj që shpesh mund të jenë edhe të rastësishme. Por duket se konferenca e Londrës iu dha mundësinë që të kishit një takim thuajse të pashmangshëm me ministrin alternat grek të Punëve të Jashtme Dimitris Drucas, pasi Gjykata Kushtetuse e Republikës së Shqipërisë rrëzoi projektmarrëveshjen për kufijtë detarë mes dy vendeve. Sa e zemëruar ishte Athina nga kjo që ndodhi, zoti Meta.
Takimi me ministrin plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, zotin Drucas, nuk ishte një takim i pashmangshëm, sepse nuk ka asnjë arsye që të ketë përpjekje për t'u shmangur në takime, aq më tepër nga përfaqësues të një vendi tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe për stabilitetin, paqen dhe integrimin europian të Ballkanit Perendimor, sikurse është Greqia. Në këtë drejtim, unë natyrisht që jam takuar me zotin Drucas. Kemi shkëmbyer mendimet tona.
Absolutisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cënojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara, pasi janë marrëdhënie të gjithanshme në të gjitha fushat, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, ashtu sikurse jam i bindur që të gjitha çështjet që janë të mbartura dhe ende të pazgjidhura do të zgjidhen duke respektuar institucionet e të dy vendeve dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me perspektivën europiane, sidomos të Shqipërisë e cila ende ka një rrugë për të bërë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Nuk u shpreh asnjë keqardhje nga pala greke për vendimin e Gjykatës në Shqipëri për këtë çështje?
Natyrisht që ka një keqardhje jo vetëm do të thosha nga pala greke, por do të thosha se edhe unë ndjehem i keqardhur, jo thjesht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por në përgjithësi për instrumentalizimin në politikë të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike.
Do të thotë kjo që edhe Gjykata Kushtetuese është e instrumentalizuar politikisht nga kjo fushatë?
Nuk dëshiroj të merrem me këtë çështje. E kam shprehur edhe më përpara, që kur kjo çështje është drejtuar drejt Gjykatës Kushtetuese nga lidershipi i Partisë Socialiste, se ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse vendimi do të jetë bindës apo jo për ne, sepse ne respektojmë institucionet dhe pavarësinë e gjykatave. Megjithatë, jam absolutisht i bindur që marrëdhëniet me Greqinë do të shkojnë përpara. Është interes i dy vendeve tona, nuk është thjesht i dy qeverive dhe jam i bindur që gjithë forcat progresiste dhe europianizuese në dy vendet nuk do të mbeten peng të grupimeve ekstremiste.
Ka pasur dhe zëra kritikë, zoti Meta, që thonë se për të shmangur një veto greke ndaj anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në BE, qeveria shqiptare apo qeveritë shqiptare në përgjithësi, mund të jenë të gatshme të hedhin edhe një hap kompromisi më shumë. Cili është mendimi juaj?
Nga gjithë studimi që unë i kam bërë kësaj çështjeje pas marrjes së detyrës së ministrit të Jashtëm, nuk shikoj asnjë tendencë të tillë. Absolutisht, unë mendoj që zgjidhja e këtyre çështjeve, zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi, për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjyer. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohen më tej. Është një interes i dy popujve tanë, thjesht i dy qeverive, të cilat absolutisht që kanë përgjegjësinë për t'u ngritur mbi çdo episod të pakëndshëm.
Në një zhvillim tjetër zoti Meta, Këshilli i Evropës miratoi të enjten një rezolutë për Shqipërinë ku ndër të tjera kërkonte edhe një tryezë politike për ta nxjerrë vendin nga situata politike ku ndodhet. Si e lexoni ju këtë kërkesë të Këshillit të Evropës?
Unë e vlerësoj rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si tepër inkurajuese për vendin tonë për të ecur përpara në rrugën e forcimit të institucioneve demokratike, pasi Rezoluta bën të qartë dhe apelon për kthimin sa më të shpejtë të Partisë Socialiste në Parlament. Ashtu sikurse Rezoluta është në favor të një hetimi të zgjedhjeve, por pa cënuar Kushtetutën e vendit që është një element tepër thelbësornë respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës dhe absolutisht që çdo tryezë, çdo dialog është tepër pozitiv. Asnjëherë nuk ka qenë maxhoranca gjatë këtyre muajve që është shmangur nga dialogu, nga tryezat. Përkundrazi, dhe për fat të keq, ka qenë lidershipi i Partisë Socialiste. Shpresojmë që ata ta lexojnë drejt Rezolutën dhe të angazhohen në zbatimin e rekomandimeve të saj.
Kërkesa është normale, por sa realiste është mbajtja e kësaj tryeze në realitetin aktual në Shqipëri?
Nuk shikoj asnjë pengesë dhe theksoj edhe njëherë, nga ana e maxhorancës është tërësisht realiste, sepse nuk e kuptoj se çdo të thotë që dikush të mos shkojë në një tryezë, dikush t'i shmanget dialogut në një vend demokratik. Absolutisht që është diçka krejtësisht normale, do të thosha, dhe padyshim që dialogu duhet të ecë përpara, por për dialogun duhet të jenë dy palë. Unë jam i bindur që maxhoranca asnjëherë nuk do të mungojë në një dialog të tillë. Përkundrazi, do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të ç'kontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik dhe forcimit të institucioneve demokratike të vendit.
FUND