English

Modernizohet administrata, aplikim online për çertifikata

Prishtinë, 29 janar, NOA / Nga Hajdin Islami - Projekti i përbashkët i ministrisë së Administratës Publike dhe ministrisë së Punëve të Brendshme "Sistemi i Menaxhimit të dokumenteve të Gjendjes Civile", është promovuar dje në kryeqytetin kosovar. Sipas një njoftimi të zyrës për informim pranë Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, thuhet se me realizimin e këtij projekti do të lehtësohen procedurat për të aplikuar për dokumente të Gjendjes Civile nga ana e qytetarëve dhe në anën tjetër, administratës i krijohen mundësi që të jetë shumë më efikase dhe më efektive në këtë aspekt.

Me praninë e ministrit të MAP-së, Arsim Bajrami dhe ministrit të MPB-së, Zenun Pajaziti, zyrtarëve të të dy ministrive dhe medieve të shumta është bërë edhe demonstrimi i aplikimit nga ana e qytetarit dhe puna e zyrtarit në zyrën e gjendjes civile, duke ofruar para të pranishmëve në mënyrë të drejtpërdrejtë çertifikatën e parë për të cilën është aplikuar në mënyrë elektronike.

Përmes këtij sistemi, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që përmes internetit, duke shfrytëzuar e-Portalin shtetëror të vendit tonë, nga çdo pikë e Kosovës apo çdo pikë e botës, të aplikojnë për çertifikata të ndryshme për të cilat kanë nevojë në Gjendjen Civile.

Ky projekt është zhvilluar në kuadër të Strategjisë së e-Qeverisjes 2009-2015 dhe Planit të Veprimit për implementimin e kësaj Strategjie, dy dokumente të cilat janë miratuar nga ana e qeverisë së Kosovës. Bartës i realizimit të projektit ka qenë Departamenti i Qeverisjes dhe Proceseve Administrative në MAP, në bashkëpunim me departamentin përkatës të Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ky Sistem fillimisht ka qenë i ndërtuar si Uindoës Aplikacion, por gjatë vitit 2009 është avancuar në Ueb Aplikacion, i cili bën të mundur aplikimin online për çertifikata të ndryshme të gjendjes civile.

NOA

KOMENTE