English

Nuk po integrohet veriu në Kosovë por Serbia në BE

Krerët institucionalë të Kosovës ndoshta as që e kuptojnë se, kur deklarojnë për marrëdhënie të mira fqinjësore të Kosovës me vendet rrotull, e posaçërisht me Serbinë, janë duke kontribuar që ato të integrohen më shpejt në BE në kurriz të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi

Nga Albin Kurti

EULEX-i dhe Pieter Feithi (sidomos me kapelën e tij të Përfaqësuesit Special të BE-së) ngadalë por sigurt po shndërrohen në lehtësues të integrimit të Serbisë në BE. Detyra kryesore e EULEX-it dhe Pieter Feithit po bëhet që ta ndihmojnë Serbinë, që në rrugëtimin e saj për në BE të mos e ketë barrë Kosovën. Brukseli ka vendosur që Serbia të mos e presë Kosovën për anëtarësimin e saj. Sikurse për çështjen e liberalizimit të vizave, edhe kur vjen puna tek anëtarësimi në BE, nuk duket që rajoni i Ballkanit perëndimor do të integrohet en bloc. Nëse nuk ndryshon diçka radikalisht, pas Kroacisë edhe Serbia do të hyjë në BE. Mirëpo, për këtë gjë ajo duhet t'i rregullojë marrëdhëniet me fqinjët. Janë shumë marrëveshje e dakordime që ajo duhet t'i bëjë me vendet fqinje në mënyrë që të ecë në shtegun drejt BE-së. Pasi që Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, fqinj jugor i Serbisë nuk është Kosova, por EULEX-i dhe PSBE-ja. Pushteti ndërkombëtar në Kosovë nuk është vetëm pushtet por është edhe vetë shteti. Fundja, ata janë kushtetuta, ushtria, policia dhe instanca supreme politike e ligjore e Kosovës. Ata janë sovrani i vendit tonë dhe, për pasojë, fqinji i Serbisë. Sëkëndejmi, Brukseli negocion dyfish me Beogradin: në emër të BE-së dhe në emër të Kosovës. Një situatë gjithsesi joshëse për Brukselin i cili e sheh Serbinë nga prizmi i politikës së jashtme dhe të sigurisë, kurse Kosovën e sundon në emër të po kësaj politike. Strategjia e re për veriun nuk është as strategji dhe as e re. Ajo është orvatje për ta shpërqendruar vëmendjen nga dy protokollet që EULEX-i do t'i nënshkruajë së shpejti me Serbinë. Pas atij për bashkëpunim policor në radhë janë protokollet për gjyqësi dhe dogana. Punën që EULEX-i e bën pa zhurmë me Serbinë, Pieter Feithi e balancon me zhurmë, por pa punë, kundër Serbisë. Dhe jo vetëm kaq. Kjo ‘strategji' nuk do ta integrojë veriun dhe as nuk do ta bashkojë Mitrovicën. Në rastin më të mirë do ta ndajë Mitrovicën në dy komuna të veçanta. Meqë nuk do të ketë përdorim të forcës, strategjia e proklamuar për integrim të veriut do ta afirmojë gjithnjë e më shumë Serbinë si palë në kontest. Vazhdimisht na thuhet që vetëm dialogu është mënyra përpara sa i përket çështjes së veriut, dhe se ky dialog duhet të bëhet me dikë, apo jo? Serbia edhe njëherë do të rikthehet si faktor në bisedime të reja nëpërmjet kësaj ‘strategjie'. Në vend të përdorimit të forcës në emër të ligjit do të ketë dialog për hir të paqes me ata që e përdorën forcën. Secili shtet a pushtet e ka problem se si ta legjitimojë sa më mirë dhe sa më efektshëm përdorimin e forcës, madje edhe atëherë kur ajo s'është gjithaq e nevojshme. Shteti dhe pushteti në Kosovë e kanë problemin e kundërt: si ta legjitimojnë mospërdorimin e forcës, ndonëse kjo është e domosdoshme. Në qarqet diplomatike në Prishtinë kanë nisur të qarkullojnë fjalët se si Kosova duhet sërish të bisedojë me Serbinë. Kësaj radhe thonë që duhet të bisedohet për gjithçka përveçse për statusin e Kosovës. Në fakt, kështu thoshin edhe para disa viteve. Të mos diskutohet për status por për çështje praktike e teknike, në mënyrë që gradualisht të arrihet te statusi, ndërkohë që maskohet fakti se çdo gjë në të vërtet ka të bëjë me statusin. Zaten, statusi është edhe statusi i palëve përkundrejt njëra-tjetrës, apo jo? Vetëm se kësaj radhe faktorëve ndërkombëtarë iu interesojnë bisedime të reja ndërmjet Kosovës e Serbisë përbrenda kornizës së integrimit të Serbisë në BE. Dialogu apo bisedimet e ardhshme, më parë se për integrimin e veriut në Kosovë, janë për integrimin e Serbisë në BE. Pasi që Serbia mban lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë që është në ngritje, dhe për shkak të madhësisë së saj si treg, integrimin e Serbisë BE-ja e sheh si një çështje pakrahasimisht më urgjente sesa integrimin e Kosovës. Jo vetëm pse Kosovën nuk e njohin pesë shtete anëtare të BE-së, por, para së gjithash, për shkak se Kosovën tashmë po e sundon. Përderisa për Serbinë Brukseli konsideron që do ta rrisë kontrollin mbi të, duke e bërë anëtare të BE-së, mbi Kosovën tashmë ka kontroll të lartë, madje pikërisht duke e mbajtur atë jashtë BE-së. Angazhimi aktual nuk konsiston te moslejimi i Serbisë që ta pengojë Kosovën në integrime ndërkombëtare, por te eliminimi i pengesave që Kosova mund t'ia bëjë Serbisë për integrime evropiane. Protokolli për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë ka qenë parakusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Serbisë. Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë tërësisht përbrenda këtij kuadri. Edhe kur e tolerojnë funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, edhe kur e lejojnë vizitën e Boris Tadiqit në Deçan. Krerët institucionalë të Kosovës ndoshta as që e kuptojnë se, kur deklarojnë për marrëdhënie të mira fqinjësore të Kosovës me vendet rrotull, e posaçërisht me Serbinë, janë duke kontribuar që ato të integrohen më shpejt në BE në kurriz të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Të gjitha deklaratat e Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit për marrëdhënie të mira me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Beogradi, Podgorica dhe Shkupi zyrtar i përdorin në Bruksel për ta përshpejtuar integrimin e vendeve të tyre në BE. Duke mos e problematizuar gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, dhe duke lëshuar pe në demarkacionin e kufijve me ta, Sejdiu dhe Thaçi kontribuojnë në riprodhimin e gjendjes së rëndë për shqiptarët në këto vende dhe njëkohësisht u ndihmojnë atyre vendeve që të hyjnë në BE para nesh. Kosova (dhe Shqipëria) duhet ta studiojnë dhe analizojnë hollësisht se si mund ta kushtëzojnë integrimin e Serbisë (dhe Maqedonisë e Malit të Zi) në BE para se Serbia (dhe Maqedonia e Mali i Zi) të na kushtëzojnë neve nga pozita e shtetit anëtar në BE. Teza se shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi do të jetojnë shumë më mirë porsa këto vende të hyjnë në BE, është naive. Mjafton t'i pyesni baskët se si po ia kalojnë në Spanjë, hungarezët në Sllovaki apo jogrekët në Greqi.

KOMENTE