Davos, 29 Janar NOA - Për arsye të fshehjes dhe të përmasave të hendekut të saj në buxhet Greqia konsiderohet si mëkatari kryesor kundër paktit të stabilitetit ndër vendet e monedhës euro, raporton radio Dojçe Vele.
Aktualisht Greqia gjendet në Evropë nën vëzhgim intensiv, sepse vendi ka hyrë në borxhe aq të mëdha, saqë shumë agjenci të vlerësimit ulën në dhjetor solvabilitetin e tij. Dhe ka gjasa që shifrat e buxhetit të mos pasqyrojnë as përmasat e plota të gjendjes së vështirë. Kjo sepse vitet e fundit grekët i kanë manipuluar vazhdimisht statistikat e borxheve të tyre. Kjo është koha që kryeministri të përpiqet për të krijuar besim, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Kurs rigoroz kursimi nën vëzhgimin e BE-së
Grekëve s'u zënë besë në Evropë, të paktën tani. Borxhi shtetëror është larguar aq shumë prej kufijve të kritereve evropiane, saqë do të ndjekë një kurs rigoroz kursimi. Ky do të vëzhgohet nga kolegët evropianë, sepse në të kaluarën Greqia nuk e ka marrë gjithmonë seriozisht punën e shifrave të saj.
Për këtë arsye qeveria greke shfrytëzon tani çdo mundësi për të krijuar besim, për shembull në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Atje kryeministri grek ishte ulur të enjten pasdite përballë burrit, të cilin mund ta ketë parë javët e fundit në ëndrra të këqija: rojtari numër një i monedhës evropiane, Jean-Claude Trichet, shefi i Bankës Qendrore Evropian.
Në kërkim të shpjegimeve dhe fajtorëve
Greku u tregua shumë i penduar: "Faji është në radhë të parë i yni. Nuk dua të bëj politikë, por në qeverinë e kaluar ka pasur mjaft keqmenaxhim dhe politikë klienteliste, që ka kushtuar shumë para. Fatkeqësisht ne zhvilluam shumë korrupsion në nivelin më të lartë dhe nuk ndërmorëm masat për ristrukturimin e ekonomisë sonë."
Gjithësesi Papandreu nuk mund të çlirohet aq lehtë nga faji i vet në kaosin buxhetor grek, në fund të fundit socialistët e tij qenë vetë në qeveri deri në vitin 2004. Por tani falë një programi të ashpër kursimesh gjithçka do të përmirësohet: "Kemi marrë masa duke prishur kontratat e mijëra të punësuarve në sektorin publik. Ne po ulim pagat në sektorin publik, po krijojmë një zyrë statistikash krejt të pavarur me mbikqyrjen edhe të Eurostatit, po ulim deficitin këtë vit me katër për qind. A po e ul ndonjë vend tjetër deficitin me katër pikë?"
Greqia është zhytur thellë në borxhe
Për të përfshirë Eurostatin në mbikëqyrjen e financave, vendi pak a shumë u detyrua nga ministrat evropianë të financave. Greqia synon që të arrijë sërish brenda tre vjetësh kufirin maksimal prej tre për qind borxhesh të reja matur me prodhimin e brendshëm bruto. Një synim shumë ambicioz, aktualisht grekët janë tek 12,7 për qind, vini re sipas të dhënave të veta.
Vendi është zhytur aq thellë në borxhe, saqë gazeta "Financial Times" njoftoi se Greqia po kërkonte hua prej kinezëve të aftë për të paguar. Kjo u përgënjeshtrua menjëherë nga Greqia dhe nga Kina: "Ky përgënjeshtrim i kinezëve u konsiderua si votë mosbesimi për ekonominë kineze, ai ndryshoi menjëherë përqindjet e huave për ne dhe na vuri në një gjendje të vështirë. Kjo na tregon se ka shumë spekulime dhe se edhe thashethemet mund të krijojnë probleme."
Trichet zbut tonin e kritikave
Kryeministri pranon, se pa euron vendi do të ishte në një gjendje edhe më të vështirë. Deklaratat e Papandreut bënë që Trichet-ja të mos gjente më fjalë qortuese. Përkundrazi, Jean Claude Trichet e relativizoi problemin. As vendet e tjera evropiane nuk janë aktualisht kursimtarë të përsosur, tha ai: "Të gjithë gjendemi ende në stres. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kriza, zona e euros, Evropa si e tërë. Me lejoni t'iu kujtoj: Sipas FMN-së në zonën e euros deficiti buxhetor publik do të jetë sivjet në shkallën gjashtë për qind."
... një vlerë kjo, që për momentin duket utopike për Greqinë.