Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 29 janar NOA - Ariani, Amarildo dhe Fredi, përvevc moshës, i bashkon e njëjta histori jete.
Të tre adoleshentët kanë braktisur shkollën për të lypur e punuar në rrugë bashkë me familjen.
Ata kanë kryer vetëm një muaj shkollë e më pas i janë drejtuar jetës së rrugës, si e vetmja mundësi për të përballuar jetën.
"Unë kam bërë vetëm një muaj shkollë, por më pas u mërzita e dola në rrugë të punoj. Familja ime ka nevojë për para, vetëm babi punon ndaj vendosa të mbledh bashkë me të kanoçe e hekura në kazanët e plehrave", thotë Ariani.
"Në fakt më pëlqen të lyp sidomos për festa si puna e festës së Bajramit.
Në këto ditë shkoj në xhami për të lypur se fiton shumë. Ndërsa ditët e tjera mbledh kanoçe me shokët. Lekët që fitoj I shpenzoj për të ngrënë", rrëfen Fredi.
Ndërsa Amarildo ka provuar të lypë dhe në Kosovë. Siç thotë dhe vetë, atje ka ikur familjarisht për të punuar.
"Unë me babin mblidhnim kanoçe e hekura, ndërsa mami e motrat lypnin në rrugë.
Kemi fituar shumë, pastaj u kthyem në Shqipëri. Tani babi dhe unë vazhdojmë të pastrojmë kazanët, kurse mami shet rroba të vjetra në fshat", shprehet 13 vjeçari.
Të tre adoleshentët prej katër muajsh frekuentojnë qendrën fëmijët e botës dhe të Shqipërisë e cila punon me fëmijët e rrugës.
Sipas drejtoreshës së qendrës, Klara Simoni, numri i fëmijëve që kanë nevojë për shërbim nuk i përket vetëm komunitetit rom e egjiptian.
"Rreth 60 fëmijë rom, egjiptianë dhe nga familje të tjera në nevojë frekuentojnë prej disa vitesh qendrën tonë. Çdo vit, 30 deri në 40 prej tyre riintegrohen në shkolla publike pasi kanë marrë njohuritë bazë nga stafi i punonjësve sociale dhe mësuesve të qendrës", shprehet drejtoresha.
Por megjithë kushtet e krijuara në qendër, fëmijët shprehen se nuk ndahen dot nga jeta e rrugës.
Pasi largohen prej saj, ata rikthehen për të punuar e lypur si dikur, si e vetmja mënyrë jetese për t'i shpëtuar kthetrave të varfërisë.
b.a/NOA