English

Vritet e dashura e një shqiptari në Greqi

Athinë, 29 Janar NOA - Një 25 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u gjet e vrarë në Greqi, kurse i dashuri i saj shqiptar, u zhduk menjëherë pas gjetjes së trupit të të ndjerës, vrarë me armë gjuetie.

Korrespondenti i agjencisë NOA informon se ngjarja ka ndodhur në Astako të Greqisë, ku një ditë më parë, është gjetur kufoma e 25-vjeçares, një shtetase greke e cila jetonte në zonën e Makrinias.

Policia e rajonit të Etolisë që mbulon dhe zonat e Astakosë dhe Makrinias, tha se 25-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, ishte qëlluar me armë zjarri në kokë.

Më pas, trupi i saj ishte hedhur në disa shkurre në pyllin e Ligovicës, jo larg vendbanimit.

Viktima bashkëjetonte prej disa kohësh në fshatin Mataranga, me një djalë shqiptar, 30 vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur pasi është shpallur në kërkim.

E ndjera, pak para se të lidhej me emigrantin shqiptar, jetonte në Kardhica, ku ishte ndarë me të shoqin, një shtetas grek, me të cilin kishte dhe dy fëmijë.

Ajo punonte në klubet e natës së zonës së Makrinias.

Policia tha se u përpoq të merrte në pyetje të dashurin shqiptar të viktimës por ai nuk u gjet ndaj dhe e ka shpallur në kërkim.

Hetuesit thanë se e konsiderojnë 30 vjeçarin shqiptar si të dyshuarin e vetëm për vrasjen e shtetases greke dhe përforcojnë bindjen për shkak të zhdukjes së tij.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE