PS kritikon "faktin se dje papërgjegjshmëria e qeverisë së Sali Berishës vijoi, duke kërkuar edhe dyfishimin e çmimit të ujit, si fillim për të gjitha e qarkut të Tiranës "
Tiranë, 30 Janar NOA - Për të dytën herë rresht, brenda të njëjtës javë, Partia Socialiste solli sot në vëmendje situatën e rëndë të krijuar për të gjithë shqiptarët, të cilëve qeveria e votave të vjedhura të Sali Berishës, jetën po ua shtrenjton dita ditës, duke ua bërë të papërballueshme.
Ilir Beqja, deputet i PS, tha se ushqimet janë shtrenjtuar 70 për qind kurse kujtoi faktin se nesër familjeve shqiptare do t'u vijnë faturat e reja të energjisë elektrike - të paktën 10 % më të shtrenjta.
Lidhur me këtë fakt, Beqja shprehu shqetësimin se kompensimet ende nuk janë zbatuar dhe mesa duket do të dështojnë si kompensimet e viteve të fundit.
Më tej Beqja citoi se Sali Berisha deklaroi dje në Task Force të reformës në shëndetësi se "Nuk mund të ecim para pa ditur se sa kushtojnë dhe se cili është shpenzimi që duhet të bëjmë".
Në atë tavolinë ishte edhe ministri i Shëndetësisë që sikundër kujtoi Beqja, "në tetor 2009, brenda natës, katërfishoi tarifat e shërbimeve shëndetësore".
Ndaj Beqja kujtoi edhe faktin se "katër herë më shumë paguajnë për shërbimet shëndetësore 800 mijë shqiptarë të pasiguruar dhe vetëm vegla e Sali Berishës, INSTAT, nuk ka veshë të dëgjojë dhe sy të shikojë".
Beqja foli dhe për situatën aktuale kur tha se në këto ditë të ftohta dimri, edhe çmimi i gazit është rritur 20 për qind, si rezultat i situatës monopol në treg.
Ndërsa kritikoi faktin se dje papërgjegjshmëria e qeverisë së Sali Berishës vijoi, duke kërkuar edhe dyfishimin e çmimit të ujit, si fillim për të gjitha e qarkut të Tiranës.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, sot 1 euro blihet 140 lekë dhe 1 dollarë 100 lekë. Nënçmimi i lekut me 10 për qind kundrejt euros është një tjetër taksë e fshehtë që sot duhet të paguajnë familjet shqiptare, deklaroi Beqja i cili vlerësoi se leku po nënçmohet nga politikat e papërgjegjshme ekonomike të qeverisë së Sali Berishës.
"Sali Berisha shtrenjtoi bukën, shtrenjtoi dritat, shtrenjtoi gazin, shtrenjtoi spitalet, dhe tani po shtrenjton dhe ujin", alarmon PS.
Në këtë pikë ajo konsideron se përfundimisht, sot Shqipëria është zhytur në krizë politike, por edhe në krizë ekonomike.
"Krizën politike tashmë e pranojnë edhe partnerët ndërkombëtarë, edhe Këshilli i Europës, ndërkohë që krizën ekonomike e përjetojnë çdo ditë shqiptarët e thjeshtë", - theksoi Beqja duke akuzuar se "Sali Berisha është përgjegjësi i krizave të cilat mund t'i zgjidhë ose duke hapur kutitë, ose duke u larguar".
e.r/NOA - Më shumë nga argumentet politike të ditës:
PS: Berisha të mos nxjerrë më gjuhën për t'u tallur ndryshe nisim protestat
Rezoluta e KiE, Rusmajli: Ju tregoj Amendamentin e pestë
PD: Miqësia e birit të Dades, me "autobombën e parë në Ballkan"
Enti Rregullator, në gjyq për tarifat e energjisë
PS, Dade: Berisha lëri fjalët, mos pengo tryezën politike