Ohër, 30 janar, NOA - Portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit në Drinin e Zi, dita-ditës po e rrisin kapacitetin e shkarkimit, duke filluar që nga data 19 janar. Gati çdo ditë, po zgjerohet porta e shkarkimit, që nënkupton edhe rritjen e sasisë së ujit që shkarkohet e derdhet ne Drinin e Zi, që aktualisht është mjaft i rrëpishëm dhe shton sasinë e ujit në akumulimet në Glloboçicë, Shpile, e natyrisht edhe në akumulimet në liqejt akumulues të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës në Shqipëri.
Sa i përket nivelit të Liqenit të Ohrit dhe sasisë së ujërave që derdhen në liqen, nuk tejkalon kuotat maksimale, por është në një nivel mesatar me një tolerancë dhe variabilitet të theksuar. Sipas vlerësimeve, kuota aktuale në Liqenin e Ohrit sillet rreth 693.50 m lartësi mbidetare. Mirëpo, "frika" nga akumulimi më i mad hi sasisë së ujit në Liqenin e Ohrit është nga reshjet e fundit dhe sjelljet nga ujëmbledhësit tjerë që derdhen në Liqen.
Pamjet e sotme në portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit në lumen Drini i Zi, nuk janë vërejtur deri më tani, gjatë kësaj periudhe, e sidomos nga ditët kur zonat e nënshkodrës u përfshinë nga përmbytjet e mëdha, që sipas ekepertëve, nuk kanë ndodhur me këto përmasa që nga viti 1962. Megjithate, shkarkimi momental në Drinin e Zi është maksimal dhe mund të arrijë sasinë prej mbi 60 metra kub për sekondë.
NOA-INA