English

Autoritetet e Kosovës: Veriu nuk është çështje e Beogradit

Prishtinë, 31 Janar NOA - Autoritetet vendore në Prishtinë vlerësojnë se veriu i Kosovës nuk është çështje që i takon Beogradit. Ndërkaq, zbatimi i strategjisë për veriun është i domosdoshëm për të shmangur destabilizimin e situatës.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se asnjëherë nuk do të heqin dorë nga pjesa veriore e Mitrovicës - zonë kjo, për të cilën ekzekutivi kosovar, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, janë në fazën finale të përpilimit të strategjisë për shtrirjen e autoritetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, bën të ditur qëndrimin e Kosovës karshi veriut, duke theksuar se integritetin territorial të Kosovës. "Beogradi nuk ka nevojë të heqë dorë, sepse nuk është e tij. Ne s'do të heqim dorë asnjëherë", deklaron Kuçi. Deklarata e zëvendëskryeministrit Kuçi pason kundërshtimet e Beogradit zyrtar ndaj jetësimit të kësaj strategjie, në kuadër të të cilave hyn dhe deklarata e fundit e sekretarit shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili tha se veriu nuk do të jetë pjesë e Republikës së Kosovës dhe se nuk do mund të krahasohet me komunat e tjera me shumicë serbe, siç janë Shtërpca apo Graçanica. Por, decentralizmi, i cili u zbatua në këto komuna, nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, është vlerësuar të jetë opsioni më i mirë për integrimin e serbëve të veriut të Mitrovicës. Përdorimi i forcës për zbatimin e strategjisë për veriun është hedhur poshtë kategorikisht, duke theksuar karakterin joimponues të planit për veriun. Mirëpo, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thekson nevojën për shtimin e pranisë ndërkombëtare në veri. Ai thotë se mungesa e përfaqësuesve të EULEX-it dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë në pjesën veriore, do të mund të ndikonte në fuqizimin e strukturave paralele serbe. "Në rast të moszbatimit të strategjisë, atëherë do të ketë destabilizim. Në rast të zbatimit të strategjisë përmes një plani veprues në të gjitha segmentet, unë besoj se veriu do të hyjë nën kontrollin e institucioneve të vendit dhe do të bëhet integrimi i pjesës veriore të Kosovës", thekson Isufi. Zgjidhja e problemit të veriut në qarqet ndërkombëtare vlerësohet të jetë e domosdoshme edhe për rrugën integruese të Serbisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian. Edhe përfaqësues të shtetit serb theksojnë se Serbia dhe Kosova do të kenë rrugë të ndara për integrim në BE deri në, siç thuhet, krijimin e një ambienti të ri politik e ekonomik për një marrëveshje mbi këtë çështje. Vlerësimet e tilla, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, janë një sinjal për parapërgatitjen e opinionit serb mbi realitetin në Kosovë. Zëvendëskryeministri Kuçi shpjegon: "Mendoj se kjo është shkalla e parë e vetëdijesimit të politikës serbe dhe po mendoj se ky është një realitet i ri që ata po fillojnë ta njohin. Këtë realitet, në fakt, ne e kemi shpallur me pavarësinë e Kosovës dhe në një mënyrë është njohur në proceset integruese nga vetë Unioni Evropian". "Kurse, tani po i bën përgatitjet për opinion të brendshëm edhe Qeveria e Serbisë. Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara. Kosova ka territorin e vet, ka sovranitetin e vet dhe si e tillë do të hyjë në Unionin Evropian". /rfe/

KOMENTE