English

Ballkan: Kush na do, e kush jo

Serbinë, si armik, e vlerësojnë 83.2 për qind e të anketuarve në Kosovë, 50.4 në Kroaci dhe 47.2 për qind në Shqipëri. Shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë e mbështesin formimin e Shqipërisë së Madhe, përderisa çdo i dyti i anketuar konsideron se kjo gjë me gjasë do të ndodhë gjatë një të ardhmeje të afërt, tregoi hulumtimi i degës së Gallup, Balkan Monitor. Kur u pyetën nëse e përkrahin formimin e Shqipërisë së Madhe, pozitivisht janë përgjigjur 74.2 për qind e kosovarëve të anketuar dhe 70.5 për qind e të anketuarve në Shqipëri. Njëkohësisht, 47.3 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 39.5 për qind e atyre në Shqipëri pohuan se mendojnë që krijimi i Shqipërisë së Madhe sipas të gjitha gjasave do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Në hulumtim (rezultatet e të cilit janë publikuar në web-faqen: http://www.balkan-monitor.eu) janë përfshirë Kroacia, BeH, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria. Gjatë vitit 2009, të anketuarit u përgjigjën në një numër të madh pyetjesh nga lëmi të ndryshme, ndërkohë që shtetasve të shteteve të caktuara iu parashtruan edhe disa pyetje paksa më specifike. Në pyetjen rreth mundësisë së jetesës së përbashkët në Kosovë i janë përgjigjur vetëm të anketuarit në Kosovë, ndërsa hulumtimi ka treguar se për një jetë të qetë me popujt e tjerë janë deklaruar 59.9 për qind e shqiptarëve dhe 12.1 për qind e serbëve të Kosovës. Shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, gjegjësisht 70.5 për qind, deklaruan se shpallja e pavarësisë së vendit ishte një ngjarje e mirë, përderisa shumica dërrmuese e serbëve të Serbisë (63.8 për qind) besojnë se Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet. Nga ata që presin se kjo gjë megjithatë do të ndodhë, shumica e tyre (9.7 për qind) mendojnë se kjo do të ndodhë brenda një afati kohor 5-vjeçar. Të anketuarve në Bosnje e Hercegovinë iu bë pyetja se a është pavarësia e Kosovës një precedent për Bosnjën, i cili ia hapë dyert ndarjes së Republika Serbe, ose të pjesës ku kroatët e përbëjnë shumicën. Përgjigjet ishin të ndara, sepse pozitivisht u përgjigjën 38.8 për qind e të anketuarve, ndërkaq negativisht 39.3 për qind. Hulumtimi gjithashtu tregoi se shumica absolute e banorëve të Ballkanit Perëndimor e konsideron religjionin pjesë shumë të rëndësishme të jetës ës tyre të përditshme. Kjo, ngase në këtë pyetje pozitivisht janë përgjigjur 90.1 për qind e të pyeturve në Kosovë, 76.5 për qind në BeH, 76.2 për qind në Maqedoni, 70.9 për qind në Mal të Zi, 69.7 për qind në Kroaci dhe 54 për qind në Serbi. Bazuar në rezultate, më së paku rëndësi religjionit i kushtohet në Shqipëri, ku vetëm 39.3 për qind e të anketuarve pohojnë se ai është i rëndësishëm për jetën e tyre të përditshme, ndërkaq 43.9 për qind e pohojnë të kundërtën. Në pyetjen se në ç'masë identifikohen me Ballkanin, shtetin, kombin ose religjionin e tyre, u përgjigjën vetëm banorët e disa shteteve rajonale. Hulumtimi tregoi se niveli më i lartë i identifikimit me Ballkanin ekziston në Shqipëri, kurse më i ulëti në Kroaci. Përqindja e përgjithshme e të anketuarve në Shqipëri që identifikohen me Ballkanin doli 91.1 për qind. Në Kosovë në masë më të madhe po më të vogël me Ballkanin identifikohen 89.1 për qind e të anketuarve, në Maqedoni 88.1 për qind, në Mal të Zi 82.2 për qind, në Serbi 81.6 për qind, dhe në BeH 78.8 për qind. Kroacia është shteti i vetëm rajonal ku shumica e të pyeturve u përgjigjën se nuk identifikohen fare me Ballkanin (49.8 për qind), ndërkaq 43.5 për qind pohuan se identifikohen në masë të caktuar. Me shteti e tyre identifikohen shumica dërrmuese banorëve të rajonit, megjithëse më së shumti në Kosovë (92.9 për qind), e pastaj në Serbi me 92.7 për qind dhe në Kroaci, me 92.6 për qind. Më së paku në Mal të Zi, me 84.3 për qind. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me fqinjët, hulumtimi i tregoi se pothuajse në të gjitha pjesët e rajonit, përveç në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë, më shumë se gjysma e të anketuarve konsideron se marrëdhëniet me fqinj nuk janë aq të mira. Një përgjigje të tillë e dhanë 67.6 për qind e të anketuarve në BeH, 63.6 për qind në Serbi, 63 për qind në Maqedoni, dhe 51 për qind në Kroaci. 45 për qind e të pyeturve në Kosovë thanë se marrëdhëniet me fqinj s'janë të mira, ndërsa në Mal të Zi këtë e pohuan 41.9 për qind e banorëve. Në Shqipëria ndërkaq, më së shumti të anketuar vlerësuan se marrëdhëniet ekzistuese me fqinj janë në nivel të duhur - 38.2 për qind. Serbia shikohet si vend mik më së tepërmi në Mal të Zi (69.1 për qind), e pastaj në Maqedoni (54.8 për qind) dhe në BeH (44.3 për qind), ndërkohë që më së paku konsiderohet e tillë në Kroaci (6.9 për qind), Shqipëri (7.6 për qind) dhe në Kosovë (3.5 për qind). Ndërsa si armik Serbinë e vlerësuan 83.2 për qind e të anketuarve në Kosovë, 50.4 për qind e kroatëve dhe 47.2 për qind e të pyeturve në Shqipëri.

Të anketuarit u përgjigjën edhe në pyetjet se në ç'masë paraqesin pengesë animozitetet historike, dallimet kulturore dhe politikanët nacional në bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kështu që përgjigjet e tyre treguan se shumica e banorëve të rajonit konsideron se animozitetet historike dhe politikanët nacional janë dy pengesat kryesore për bashkëpunim. Dorëzimi i të akuzuarve për krime lufte si kusht për paqe dhe zhvillim të rajonit në për qindjen më të madhe konsiderohet i tillë në Kosovë (83.3 për qind), e pastaj në BeH (70 për qind) dhe në Shqipëri (56.5 për qind), e më së paku në Serbi (35 për qind) dhe në Mal të Zi (36.6 për qind). Serbia ndërkaq është shteti i vetëm në të cilin më shumë të anketuar u përgjigjën se dorëzimi i të akuzuarve për krime lufte nuk është i domosdoshëm (39.8 për qind). Në pyetjen nëse për paqe dhe zhvillim të rajonit duhet t'iu mundësohet entiteteve që nëpërmjet referendumit të shpallin pavarësinë e tyre, më shumit përgjigje pozitive pati në Kosovë (58.8 për qind), Maqedoni (49.8 për qind), Shqipëri (41.9 për qind) dhe në Mal të Zi (41.7 për qind). Në Serbi, Kroaci dhe BeH për këtë opsion u deklaruan rreth një e treta e të anketuarve. Hulumtimi Balkan Monitor gjithashtu tregoi se pasojat e pavarësisë së Kosovës për rajonin konsiderohen si pozitive më së tepërmi në Kosovë (82.1 për qind) dhe Shqipëri (77.4 për qind), ndërkohë që vlerësimi negativ mbizotëron në Serbi (67.3 për qind) dhe BeH (41.6 për qind). Ndërkaq, në Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni numri më i madh i të anketuarve deklaroi se pavarësia e Kosovës nuk shkaktoi ndryshime fare.

KOMENTE