English

Dokle: Duam dialog me Berishën, por ende nuk kemi asnjë përgjigje

Tiranë, 31 Janar NOA - Partia Socialiste thotë se është në pritje të nisjes së dialogut me mazhorancën por ende nuk ka një përgjigje prej saj. Pohimin e bëri para pak minutash në një dalje për mediat, Namik Dokle, deputet i PS.

Dokle tha se "përmes Kryetarit të PS, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri tani ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike".

Këtu Dokle kujtoi edhe rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës që siç tha, kërkoi dialog në tryezën politike të presidentit.

"Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga qeveria dhe hetimin e zgjedhjeve, kurse do të dërgojë komision monitorimi për zgjidhjen e krizës", - citoi Dokle dhe theksoi se "çdo ditë e më shumë po shtohet numri i faktorëve shqiptarë e ndërkombëtarë, që pohojnë se Shqipëria ndodhet në një krizë politike dhe se nevojitet në mënyrë urgjente zgjidhja e kësaj krize përmes dialogut".

Duke akuzuar mazhorancën se nuk e do dialogun, Dokle tha se hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë, kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

"Me këtë papërgjegjshmëri totale, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën.

Por të mos harrojnë se opozita e bashkuar nuk do të lejojë që pasojat e krizës të rëndojnë mbi shqiptarët", - paralajmëroi Dokle.

"Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për t'i dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që është kthyer në një kancer për demokracinë", - ishte premtimi i PS i përsëritur sot nga Dokle.

e.n/NOA

KOMENTE