English

Grabit me dhunë bagëtitë, i hedh në rrugë të shtypen pasi e zbulon policia

Tepelenë, 31 Janar NOA - Plaçkit bagëtitë e mikut të familjes por kur zbulohet përleshet dhunshëm me pronarin dhe kur zbulon se po e rrethonte policia, i hedh bagëtitë në asfaltin e rrugës duke bërë që të shtypen e ngordhin disa prej tyre.

Ngjarja ka për protagonist një 38 vjeçar në Memaliaj të Tepelenës, Agron Zia, i dënuar dy herë më parë për vjedhje bagëtish. Ai u arrestua sot në mëngjes nga policia e Komisariatit Tepelenë.

***

Prej vitesh ajo që dinte të bënte më mirë një 38-vjeçar në Tepelenë ishte të vidhte fshatin ku jetonte e herë-herë dhe ato përreth në jugun e vendit.

Edhe pse ishte dënuar dy herë për plaçkitje bagëtish nuk kishte hequr dorë dhe goditjen e radhës e përqendroi në Memaliaj ku me një makinë me targa false u sul të vidhte bagëtitë e një vendasi, duke mos kursyer as faktin që e kishte mik shtëpie.

Duket se kupa ishte mbushur për 38-vjeçarin Agron Zia sepse sot i ka plasur "zia" e profesionit të tij. Ai ka rënë në pranga nga specialistët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë të cilët konfirmuan për agjencinë NOA se kanë bërë arrestimin në flagrancë të Agron Zias, lindur dhe banues në fshatin Mamaj të Komunës Qendër Tepelenë.

I dënuar më parë 2 herë për vjedhje bagëtish të imta dhe të trasha, Zia sot herët në mëngjes, me një mjet tip Benz me targa false, ka shkuar për të vjedhur në banesën e D.M, në fshatin Memaliaj të rrethit Tepelenë.

Pasi është afruar afër banesës, Zia ka lënë makinën dhe është futur në stallën e bagëtive të imta të D.M , i cili i mbante ngjitur me banesën.

Me mjeshtërinë e një hajduti profesionit, Zia në pak minuta ka përlarë 18 krerë bagëti, dele dhe shelegë.

Por në momentin e fundit që do të largohej është diktuar nga pronari i shtëpisë, i cili është përleshur trup më trup me të.

Edhe pse përleshja zgjati disa minuta, D.M nuk ka mundur dot ta mbajë në vend sepse Zia është larguar duke i hipur me të shpejtë kamionit dhe u zhduk nëpër rrugë.

Megjithatë, në përleshje e sipër, D.M ka arritur ta njohë Agron Zian, të cilin siç i deklaroi policisë, e ka patur edhe mik të familjes së tij.

Pasi D.M, ka lajmëruar policinë e Komisariatit të Policisë Tepelenë, forcat blu organizuan punën për kapjen e Agron Zias.

Në orën 06.00 të mëngjesit të sotëm, pak pasi kishte ndodhur grabitja, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 38-vjeçarit, në afërsi të fshatit të tij, si dhe gjetja e të gjitha bagëtive të imta.

Nga hetimi doli se Agron Zia duke parë që policia kishte bllokuar të gjitha rrugët dhe ishte vënë në ndjekje të tij, i kishte lëshuar bagëtitë në aksin rrugor nacional Memaliaj - Tepelenë, ku disa prej kafshëve të pafajshme, nga hedhja në asfalt kishin ngordhur.

Duke folur për hetimin e ngjarjes, policia tha se është bllokuar edhe automjeti që ky shtetas përdori për kryerjen e plaçkitjes së dhunshme.

v.d/e.r/NOA

KOMENTE