Shkup, 31 janar NOA - Propozim-ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, parasheh ndalesë e secilit diskriminim direkt apo indirekt, thirrje apo nxitje të diskriminimit dhe të ndihmesës së veprimit diskriminues.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, gjatë prezantimit të sotëm të ligjit të propozuar theksoi se me të sigurohet mbrojtje nga diskriminimi për të gjithë qytetarët. Ligji do të zbatohet në sferën e punës dhe marrëdhënieve të punës, arsimit, shkencës dhe sportit, sigurimit social, banimit, anëtarësimit dhe veprimit në parti sindikaliste, politike apo në çfarëdo organizata të tjera joqeveritare,...
Sipas ministrit Bajrami, orientimi seksual nuk është theksuar në mënyrë eksplicite si bazë për mbrojtjen nga diskriminimi, por derisa një person vlerëson se është diskriminuar në këtë bazë do të mund të kërkojë mbrojtje.
"Homoseksualët do të kenë mbrojtje dhe nëse vlerësojnë se janë të diskriminuar do të mund të drejtohen deri tek Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. Në rast se përcaktohet diskriminim do të ketë sanksione ndaj personave juridik të cilët e kanë kryer", tha Bajrami në konferencën për shtyp.
Ai sqaroi se në ligj janë përfshirë edhe më shumë baza për mbrojtjen nga diskriminimi nga të paraparat me direktivat evropiane, por jo edhe homoseksualët, pasi që një term i këtillë nuk ekziston në legjislaturën e Maqedonisë.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale pohon se Komisioni Evropian dhe OSBE janë shprehur pozitivisht për ligjin e propozuar dhe se nuk kanë pasur vërejtje në pjesën e mbrojtjes së diskriminimit në bazë të orientimit seksual.
Sipas Bajramit, fokusi i vërejtjeve në periudhën e kaluar ka qenë pas vendosjes së komisionit të pavarur për mbrojtjen nga diskriminimi, formimi i së cilës është paraparë me ligjin e propozuar.
Komisioni, theksoi ministri Bajrami, do të pranojë dhe shqyrtojë supozime të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e dispozitave të ligjit, do të japë mendime dhe rekomandime për raste konkrete, dorëzuesi i parashtresës do ta njoftojë për të drejtat e tij dhe mundësinë për ngritjen e procedurës gjyqësore, do të mund të dorëzojë fletëparaqitje për kundërvajtje, ndërsa e ka për obligim të dorëzojë raporte vjetore për punë deri tek Kuvendi.
Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi do të zgjidhet nga Kuvendi, pasi paraprakisht anëtarët e saj do të zgjidhen përmes shpalljes publike. Anëtarët do të kenë mandat pesëvjeçar pa të drejtën e zgjedhjes së sërishme, ndërsa nga radhët e anëtarëve do të zgjidhet kryetar i Komisionit me mandat prej një viti, gjithashtu pa të drejtën e rizgjidhjes.Dispozitat për kundërvajtje nga ligji i propozuar përcaktojnë gjoba me vlerë prej 400 deri në 1.000 euro varësisht prej asaj nëse ndonjë person i caktuar është nxitës apo ekzekutues i diskriminimit dhe në bazë të llojit të diskriminimit.Propozim-ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi duhet të zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.
INA/NOA