English

Masakra e Devollit, si nisi prej 2 muajsh

Reportazh/ Nga Vidohova, Alba Filipi

Liliana Mulliri, nëna e tre djemve të vrarë, mori pjesë në varrim. Ajo vuan dënim me 25 vjet burg pasi vrau dhe copëtoi 7-vjeçarin Alberto Xhihani në shenjë hakmarrjeje ndaj dashnorit të saj

Devoll, 31 Janar NOA - Terror psikologjik dhe kërcënime pa fund ka suportuar për të paktën dy muaj me radhë deri të Premten në mesditë, Tauland Mulliri që shihni në foto, por edhe dy vëllezërit e tij Xhiliani dy vjet më i madh dhe Etlevani, më i vogli mes tyre që dje, gjithashtu u nda nga jeta, (fotot i gjeni më poshtë).

I vetmi person që shkaktonte këtë situatë të rëndë, ishte 40-vjeçari Besim Hamit Karaj, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë.

Që prej javëve të fundit të vitit të kaluar, Besimi që ju shihni në foto, ishte shndërruar në një "bishë", për xhelozinë ndaj gruas së tij G., që ju shihni në foton e censuruar për shkak të rregullave të etikës.

Xhevahiri: U terrorizuam para masakrës

Babai i tre djemve të vrarë, Xhevahir Mulliri, tregon se ngjarja ishte vazhdim i dhunës psikologjike sipas tij nga i dyshuari Besim Karaj, gjatë muajve të fundit.

Babai që humbi të tre djemtë e tij tregon se e dinte që djali i dytë, Taulandi, kishte një lidhje me një femër e quajtur G.

Ai tha se e dinte këtë dhe mesazhet në celular që merrte i biri Landi dhe shton se ajo femër e donte të birin dhe pse ishte e martuar.

Për më tepër, thotë Xhevahiri, Besimi e kishte kapur G., të shoqen e tij, në dyshime të forta për lidhje intime me Taulandin dhe kishte nisur dy muaj më parë konflikt i ashpër.

"Por edhe pas kësaj Taulanti merrte SMS nga G dhe ajo i thoshte se pavarësisht se çfarë kishte ndodhur vazhdonte ta donte", - citon Xhevahiri i cili tregon edhe se G e kishte paralajmëruar Landin se do të vriste veten nëse nuk i përgjigjej ndjenjave të saj.

"Megjithë të tilla fjalë unë i thashë tim biri që të mos i përgjigjej mesazheve të asaj", - tregon babai.

Ai tregon se "Besim Karaj kishte nisur kërcënimet ndaj tij dhe fëmijëve, haptazi dhe kudo e kishte përhapur fjalën se do të na zhdukte të gjithëve si fis".

Për të shmangur një gjakderdhje, mora në telefon shefin e krimeve në komisariat dhe i thashë se Besim Karaj është i armatosur dhe po na kërcënon me automatik në dorë, por shefi i krimeve më tha se duhet të shkonja në komisariat të bëja denoncim", - tregon Xhevahiri duke përmendur një rast të disa ditëve para masakrës së djeshme, kur sipas tij, u kërcënua për të disatën herë me jetë, nga Besim Karaj.

Deklarimet e policisë

Policia e Korçës doli me një deklaratë zyrtare para disa minutash ku ka folur mbi hetimet e para për masakrën e Vidohovës ku humbën jetën të ekzekutuar me armë zjarri dy vëllezër dhe i treti po lufton me vdekjen në spital.

Policia sqaroi se ngjarja ka ndodhur në orën 12.30 të ditës së sotme në fshatin Vidohovë, komuna Miras rrethi Devoll.

Nga hetimi doli se autor i masakrës është 40-vjeçari Besim Hamit Karaj, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë.

Policia tha se vrasja me automatik e Taulant Mulliri 23 vjeç dhe Xhilian Mulliri rreth 25 vjeç si dhe plagosja e 17-vjeçarit Etlevan Mulliri ka ardhur për motive të dobëta.

"Etlevan Mulliri aktualisht ndodhet në Spitalin Civil të Korçës, në sallën e reanimacionit në gjendje relativisht të rënde shëndetësore", - i thanë agjencisë NOA, burime spitalore.

Sakaq policia pohoi se autori i masakrës menjëherë pas qitjes me armë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Forcat policore dhe ekspertët kanë fiksuar prova balistike, kurse kapja e autorit të dyshuar të krimit, ende nuk është bërë e mundur.

Lamtumirë me 3 arkivolë

Për të përcjellë në banesat e fundit dy nga tre vëllezërit Mulliri, kishte dalë thuajse gjithë fshati.

Pikërisht në funeral e sipër, u mësua dhe humbja e tretë, ajo e Etlevanit 17-vjeçar i cili u nda nga jeta në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Liliana Mulliri i bashkohet funeralit

Pak para se të niste funerali, në Vidohovë ka mbërritur Liliana Mulliri. Nën shoqërinë e një mori gardianësh që kanë për detyrë ta ruajnë, Liliana ka mbërritur për herë të parë pas afro pesë vjetësh në Vidohovë, vetëm pak metra larg pusit ku më 2003 kishte hedhur pasi copëtoi trupin e të voglit Albert Xhihani të cilin e masakroi me sipatë deri në vdekje.

Historia e nënës së viktimave të sotme

Rreth shtatë vjet më parë kur Liliana Mulliri vrau Alberto Xhihanin një fëmijë tetë vjeçar dhe e hodhi në pus pasi e copëtoi më parë.

Në burg u fut njëkohësisht me dënimin e Lilianës, edhe ish-i dashuri i saj Gentian Xhihani, xhaxhai i fëmijës Alberto Xhihani, për moskallëzim krimi.

Çfarë ndodhi më 2003 dhe si u zbulua dy vjet më pas

Më 30 nëntor të vitit 2005, Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë bëri të mundur zbardhjen e autorësisë së krimit të ushtruar mbi Alberto Xhihanin.

Ajo zbardhi se në datën 04.09.2003 në fshatin Vidohovë të Nënprefekturës Devoll është konstatuar humbja e fëmijës Alberto Altin Xhihani, i lindur më 25.11.1995.

Pas denoncimit të bërë nga familjarët në mbrëmjen e datës 04.09.2003, policia menjëherë është vënë në kërkim të tij fëmijës, dhe ka kryer një sërë veprimesh, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Ky kërkim ka vazhduar për shumë ditë.

Për këtë ngjarje më datë 10.09.2003 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka filluar proçedimin penal për veprën penale të rrëmbimit të personit, parashikuar nga neni 109/2 i Kodit Penal.

Pas hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë për rreth një muaj, çështja është pezulluar dhe i ka kaluar Komisariatit të Policisë Devoll për kryerjen e veprimeve të mëtejshme me qëllim zbulimin, dokumentimin dhe ndëshkimin e autorëve.

Gjatë kësaj periudhe specialistët e policisë kriminale dhe konkretisht ata të krimeve kundër personit kanë punuar në disa pista në lidhje me fatin e djalit 7 vjeçar nga Libohova, por pa bërë të mundur zbulimin e së vërtetës.

Në datën 27.11.2005, rreth orës 16.00', Aishe Seladin Begolli 36 vjeç lindur e banuese në fshatin Vidohovë, ka gjetur në brendësi të pusit të saj një kufomë të dekompozuar e cila i përkiste një fëmije deri në 10 vjeç. Eshtrat e kësaj kufome janë gjetur të ndara në dy thasë.

Policia menjëherë pas marrjes së njoftimit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me një plan të detajuar ka punuar për të rindërtuar skeletin kockor, gjë që mund të përcaktonte nëse ishin pikërisht eshtrat e Albert Xhihanit, si dhe të përcaktonte nëse mbi të kishte veprime me mjete prerëse.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore u arrit në konkluzionin se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale, të një vrasje në rrethana cilësuese dhe pastaj në prerjen, copëtimin e trupit dhe paketimin në dy thasë plastmasi.

Ishin dëshmitë e dy bashkëmoshatarëve A.L. dhe E.M. të cilët kanë fiksuar momentin e fundit atë të shkëputjes së fëmijës tek lokali i shtetases Liljana Mullirit dhe më pas nuk dihej fati i tij.

Pas veprimeve të mirë koordinuara nga ana e forcave të policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, u bë e mundur të ndalohen me datë 30.11.2005 rreth orës 05.00':

Liliana Mulliri 40 vjeçe lindur e banuese ne Vidohovë, Devoll, për veprën penale të rrëmbimit e vrasjes në kushte të tjera cilësuese.

Shtetasi Gentian Ymer Xhihani, vjeç 27, lindur e banues në Vidohovë, Devoll për veprën penale të moskallëzimit të krimit dhe përkrahjes së autorit të ngjarjes.

Të gjitha veprimet kriminale të vrasjes, copëtimit dhe futjes në dy thasët janë kryer në intervalin kohor të orës 11.00'-12.00' të datës 04.09.2003, ndërsa hedhja në pus është kryer në mesnatën e datës 04-05.09.2005.

Policia tha se pas një pune prej rreth 72 orë pa ndërprerje që nga vendngjarja, u provua me prova të pakundërshtueshme autorësia e kësaj ngjarje kriminale.

E gjithë kjo u bë në sajë të një bashkëpunimi të Seksionit të Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Devoll, Sektorit të Luftës kundër Krimeve të Hapura si dhe Prokurorisë së rrethit Korçë.

a.f/e.r/d.l/NOA - Raporti është një prodhim i NOA, ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm nëse nuk citohet burimi. Mediat abuzuese do të publikohen

KOMENTE