Korçë, 31 janar NOA - Përcillet për në banesën e fundit edhe djali i tretë i familjes Mulliri i cili ndërroi jetë një ditë pasi u qëllua me armë bashkë me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj.
Etlevan Mulliri 18-vjeç u përcoll sot për në banesën e fundit në fshatin Vodohov të Devollit.
Vëllai më i vogël i familjes Mulliri mbeti i plagosur rëndë nga masakra e së premtes ku mbetën të vdekur në vend të vëllezërit e tij, Xhulian dhe Taulant Mullirir, 23 dhe 19-vjeç.
Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, më i vogli i vëllezërve nuk mundi t'i shpëtonte vdekjes duke ndërruar jetë mesditën e djeshme teksa familja Mulliri po përcillte për në banesën e fundit dy vëllezërit.
E ndërsa në ceremoninë mortore të Xhulianit dhe Taulantit ka marrë pjesë edhe nëna e tyre Liljana Mulliri e cila nën masa të rrepta sigurie është lënë e lirë për disa orë, në ceremoninë e varrimit të djalit të saj më të vogël ajo nuk ka marrë pjesë.
Ndërkohë që forcat e policisë po vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar të masakrës, Besim Karaj.
Sipas policisë në operacion janë angazhuar dhe forcat e RENEA-s dhe kërkimet janë përqendruar në fshatin Sinicë të Greqisë. k.k/NOA